Maqedoni: KSHZ e gatshme që t’i organizojnë zgjedhjet

0-150.jpg

Dje me 110 veta “për” u votua për shpërndarjen e Kuvendit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor, ndërkaq afatet për organizimin e zgjedhjeve vetëm se kanë filluar të rrjedhin për Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Nga KSHZ thonë se ata janë të gatshëm që t’i organizojnë zgjedhjet.

“Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, afatet që janë të caktuara me Kodin Zgjedhor shkurtohen për pesë ditë, përveç për fushatë zgjedhore, e cila patjetër duhet të jetë 20 ditë. Te ne nuk ka ‘a mundemi dhe a duam’, me patjetër duhet ta kryejmë tërë punën që e kemi para nesh”, thotë zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani.

Me sjelljen e vendimit për shpërndarje të Kuvendit, partitë politike në procesin zgjedhor duhet të nënshkruajnë kodeks për zgjedhje demokratike dhe korrekte.

Më poshtë do t’i shihni afatet relativisht të shkurtra për zgjedhjet e parakohshme parlamentare:

18 tetor (sot) – MPB në medium magnetik (hard disk) i dorëzon të dhënat e kërkuara për qytetarët deri në KSHZ.
Deri më 20 tetor – KSHZ duhet të dorëzojë kërkesë deri te Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës për dorëzimin e të dhënave për të punësuarit dhe administratën komunale dhe shtetërore.
27 tetor – KSHZ patjetër duhet ta vendosë në kontroll publik Listën Zgjedhore. Kontrolli publik do të zgjasë 15 ditë, gjegjësisht deri më 11 nëntor.
11 nëntor – KSHZ duhet t’i publikojë përshkrimet e njësive zgjedhore.
18 nëntor – KSHZ patjetër që në shtypin ditor t’i publikojë emrat me kandidatët për deputetë.
21 nëntor – Fillon fushata zgjedhore, ndërkaq mbaron më 9 dhjetor të vitit 2016 në orën 24.
22 nëntor – KSZH do t’ua dorëzojë Listën Zgjedhore partive politike, ndërkaq ato në afat prej 5 ditëve, deri më 27 nëntor, do të duhet që të dorëzojnë kërkesë për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave.
27 nëntor – KSHZ e nënshkruan Listën Zgjedhore.
11 dhjetor – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Komentet