Maqedoni: Çdo i treti me fakultet ikë jashtë vendit

0-209.jpg

Askush s’mund ta ndalë procesin e ashtuquajtur “murtaja e bardhë”. Maqedonia edhe në këtë fillim vit vazhdon të ballafaqohet “ikjen e trurit”, fenomen ky që tashmë është përhapur me përmasa shqetësuese.

Ekonomistët paralajmërojnë se midis personave që braktisin vendin dominojnë të rinjtë e papunë, që mund të ketë ndikim negativ në gjendjen e përgjithshme të tregut të punës.

“Shpërngulja viteve të fundit ka një trend rritjeje dhe kjo nuk është një sekret, megjithëse Qeveria nuk e pranon këtë gjë. Ajo të njëjtën kohë nuk e demanton këtë rritje. Njerëzit nisen në kërkim të një jete më të mirë dhe nuk mund t’i kritikojmë për veprimin e tillë”, thotë profesori universitar Marjan Petreski.

Për gjendjen alarmuese të shpërnguljes së të rinjve të arsimuar flet edhe dokumenti qeveritar që mban emrin “Strategjia nacionale e lidhjes në rrjet, bashkëpunimit dhe uljes së shpërnguljes së kuadrove me arsim sipëror dhe kuadrove profesionale për periudhën e viteve 2013-2020. Rreth 30 për qind e kuadrove me arsim të lartë të Maqedonisë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ndërsa rreth 80 për qind të studentëve të viteve të fundit që studiojnë në Fakultetet Teknike, mendojnë ose planifikojnë të largohen nga Maqedonia. Numri i përgjithshëm i bashkëqytetarëve tanë që sot jetojnë jashtë vendit është i madh dhe mund të vlerësohet se mbi 447.000 individë, që përbëjnë rreth 22 për qind të popullatës së përgjithshme në vitin 2010, sipas vlerësimit të Bankës Botërore – jetojnë dhe punojnë jashtë Maqedonisë dhe përbëjnë 29 për qind të individëve me arsim të lartë“, thuhet në strategjinë përkatëse.

Modeli qeveritar i studimeve të disperzuara nëpër qytetet e vogla rriti në një masë të madhe mundësitë dhe shanset për të fituar statusin e “qytetarit akademik”, por ky koncept rriti edhe numrin e individëve që presin punë me diplomë në dorë. Kështu, gjatë periudhës së viteve 2010-2016, shkalla e papunësisë së individëve me arsim të lartë regjistron një rritje me ritëm shumë të shpejtë, në raport me shkallën e punësimit. Brenda këtyre gjashtë viteve regjistrohen mbi 5000 të punësuar me arsim të lartë dhe njëkohësisht regjistrohen 39.126 kuadro me arsim të lartë, me statusin “të papunë”.

Në Entin Shtetëror të Statistikës kanë sqaruar për portalin Prizma.mk se, sipas metodologjisë së tyre, në kategorinë e individëve me arsim të lartë evidentohen individët me arsim të lartë, magjistrat dhe doktorët e shkencave. Një analizë e detajuar e të dhënave zbardh se vetëm gjatë periudhës së analizuar, titullin “magjistër” dhe “doktor shkencash” e kanë fituar 9842 individë, që do të thotë se numri i këtij profili arsimor është në rritje.

Sipas ekonomistëve, një indikator që tregon shpërnguljen është ulja e fuqisë punëtore, sidomos tek individët e moshës 15-24 vjeçe dhe ato të moshës 25-49 vjeçe. Neritan Turkeshi, profesor universitar i ekonomisë, thotë për gazetën KOHA se të dhënat statistikore të sublimuara për vitin 2015, por edhe për vitin e kaluara – numri i personave me aftësi pune të moshës 15-24 vjet u ul për mbi 2400, ndërsa numri i personave me aftësi pune të moshës 25-49 u ul për mbi 10.000, që do të thotë se vetëm brenda dy vitesh – oferta e fuqisë punëtore në tregun e punës u zvogëlua për 12.550 persona vetëm në këto dy kategori grup-moshe.

“Nëse të rinjtë që shpërngulen janë kryesisht pa punë, që unë besoj se janë kategori dominuese, në një rast të tillë, në kuptimin absolut ne do të kemi më pak të papunë, më pak persona me aftësi pune dhe popullsia do të ulet në përgjithësi. Megjithatë, në kuptimin relativ, norma e papunësisë nuk do të pësojë ndryshime drastike si rezultat të shpërnguljes, sepse kemi të bëjmë me një raport midis numrit të të papunëve dhe numrit të individëve aktivë, të cilët në fakt përfshijnë të dy kategoritë, të papunët dhe të punësuarit. Më konkretisht, një person i papunë që do të largohet nga Maqedonia, do të ul numrin e të papunëve dhe të individëve aktivë, kështu që raporti i këtyre dy kategorive ose norma e papunësisë do të ulet, por jo në një mënyrë drastike. Kjo është edhe arsyeja pse kompetentët lavdërohen se po ulet numri i të papunëve, kur në fakt – ne humbin shoqërinë më vitale të shtetit”, thotë profesor Turkeshi.


DO TË MBESIM PA MJEK!

Profesioni i mjekut është një nga më të prekurit me shpërnguljen e kuadrove të arsimuara, zbardhin të dhënat e një hulumtimi rajonal lidhur me migracionin e personalit shëndetësor, që u zhvillua në Maqedoni, Shqipëri, Serbi dhe Kosovë nga ana e “Heltgruper”. Hulumtimi në fjalë tregon se, vetëm tre viteve të fundit – mbi 1780 mjekë nga këto katër vende janë shpërngulur për të punuar jashtë vendit.

Trendi i këtij lloji është në rritje të vazhdueshme, sidomos tek gjeneratat më të reja të mjekëve. Ndërkaq dy faktorët kryesor që ndikojnë në shpërnguljen e mjekëve janë dëshira e tyre për zhvillim të mëtejshëm profesional dhe të ardhurat më të mira. Fakti që këto dy faktorë janë me rëndësi gjatë marrjes së vendimit për të shpërngulur jashtë vendlindjes vërtetohet nga 80 për qind e të anketuarve në Maqedoni. Sa u përket arsyeve të tjera, midis tyre theksohen gjendja politike, kontrollimi dhe partizimi. KOHA përcjell se çdo i dyti i anketuar, pjesë më e madhe studentë të mjekësisë – thonë se kanë nisur të mësojnë kryesisht gjuhën gjermane, ndërsa ndjekin edhe kurse intensive që në vitin e parë të Fakultetit të Mjekësisë. Përveç largimit të kuadrove të edukuara dhe të arsimuara, Maqedonia ballafaqohet edhe me fenomenin e të ashtuquajturit migracion i mundshëm, i cili sipas të dhënave të Ministrisë së arsimit dhe shkencës dekadën e fundit ka marrë përmasa shqetësuese.

Më konkretisht, gjithnjë e më shumë të rinj me arsim sipëror, por edhe studentë të viteve të fundit, kanë ndërmend ose planifikojnë të shpërngulen jashtë vendit. Me Strategjinë e re nacionale të të rinjve 2016-2025, e përgatitur nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës theksohet se një nga problemet kryesore me të cilin ballafaqohen të rinjtë në Maqedoni – është norma e lartë e të ashtuquajturës “papunësi e të rinjve”, e cila në vitin 2015, tek të rinjtë e moshës 15-24 vjeçe, arriti 48.2 për qind. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, ky problem ka një lidhje të ngushtë me gjendjen financiare dhe ka ndikim mbi një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës.

Sipas të dhënave të strategjisë përkatëse, shqetëson përqindja e të rinjve që nuk janë përfshirë në procesin e arsimit, në punë ose trajnimet, e cila në vitin 2015 ka arritur rreth 30 për qind. Në fakultetet, kuadrot e të cilave zakonisht shpërngulen për të punuar jashtë vendit, sqarojnë se një pjesë e madhe e studentëve të tyre gjejnë punë gjatë muajve të parë pas diplomimit, por për të qëndruar në vendin përkatës të punës – me rëndësi janë kushtet që u ofrohen atyre.

Kjo gjendje është evidentuar edhe me Strategjinë nacionale që ka të bëj me shpërnguljen e kuadrove me arsim të lartë.

“Për momentin duket vërtetë shqetësues fakti që rreth 80 për qind të studentëve të viteve të fundit, që studiojnë në fakultetet teknike (që vlerësohen si fakultete më atraktive për t’u larguar jashtë vendit pas mbarimit të studimeve), mendojnë ose planifikojnë të largohen nga Maqedonia. Nëse nuk do të zhvillohen aktivitete gjithpërfshirëse, kjo shifër do të rezultojë me një ulje serioze të potencialit të zhvillimit ekonomik dhe demografik dhe në një afat më të gjatë do të ketë implikacione negative serioze për Republikën e Maqedonisë”, paralajmëron dokumenti strategjik përkatës.

Një trend shqetësues është konstatuar edhe me studimin e fundit të Fondacionit “Fridrih Ebert”, i cili më shumë ka trajtuar shpërnguljen ose migracionin.

“Gjysma e të rinjve në Maqedoni duan të largohen jashtë vendit, ndërsa një e treta prej tyre as që mendon të kthehet përsëri në Maqedoni. Mungesa e perspektivës, pasiguria politike dhe partizimi i madh janë faktorët kryesor që demotivojnë të rinjtë të planifikojnë të ardhmen e tyre në Maqedoni, ndërsa plotë 67 për qind të të anketuarve ankohen për problemet financiare dhe nuk besojnë se pas mbarimit të studimeve do të gjejnë punë”.

Një ndikim negativ mbi tregun e fuqisë punëtore ka jo vetëm shpërngulja e kuadrove me arsim të lartë, por edhe shpërngulja e kuadrove të kualifikuara. Dhe, në kohën kur Banka Botërore, EUROSTAT-i dhe Kombet e Bashkuara me ndihmën e analizave, hulumtimeve dhe studimeve bëjnë vlerësimin e numrit të personave të shpërngulur nga Maqedonia dhe të pasojave të shpërnguljes, sipas ekspertëve që merren me statistikën, në Maqedoni akoma nuk kemi kontrolle dhe vlerësime relevante të eksodit të shpërnguljes. Të gjitha “licitacionet” me shifrat, që bëhen për përdorim të brendshëm, mund të vihen në pikëpyetje, sepse operacioni statistikor më i rëndësishëm – Regjistrimi i popullatës nuk është realizuar që në vitin 2002.


GJERMANIA PUBLIKON NUMRIN E VIZAVE PËR SHTETASIT E MAQEDONISË

Në vitin 2016, viza për punë në Gjermani kanë fituar 2638 persona, të cilët kërkesat i kanë dorëzuar në ambasadën në Shkup, ndërsa 468 janë aprovuar, thuhet në një njoftim të Qeverisë gjermane. Më pak viza për punë janë miratuar vetëm në ambasadën gjermane në Tiranë – 1.230 dhe në Podgoricë – 681. Në Beograd, dritë jeshile për punë i janë dhënë 3547 personave, në Sarajevë 5594 persona, ndërsa diçka më pak viza të aprovuara për punë ka pasur në Prishtinë – 5116 persona. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor (Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi) nga 1 janari i vitit 2016 kanë mundësi për të fituar viza për punë në Gjermani. Qëllimi i kësaj mase i Qeverisë gjermane është që të ulet numri i azilkërkuesve nga këto vende dhe njerëzit të cilët kanë kërkuar azil në Gjermani për t’i nxitur ata për t’u kthyer në vendlindjen e tyre dhe të përpiqen të fitojnë vizë për punë. Sipas planeve fillestare të ministrit gjerman për Punë, Andrea Nales, në një vit duhet të shpërndahen nga 20.000 viza për punë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor në periudhë prej 5 vjet. Por, për shkak të pengesave burokratike dhe kohës së gjatë për pritje të terminit për dorëzim të kërkesave, gjatë muajve të kaluar vazhdimisht hasnin në probleme, thuhet në përgjigjen e Qeverisë gjermane pas pyetjes të parashtruar nga deputetët e të Gjelbërve në Bundestag. Në muajin e parë të këtij viti, në proces të përpunimit kanë qenë 281 kërkesa për punë të dorëzuara në ambasadën gjermane në Shkup. Në ambasadën në Shkup, ku përndryshe nga janari i vitit 2016 janë punësuar edhe dy persona – personel lokal, në javët në vazhdim duhet të hapet edhe një vend punë për person, i cili sjell vendime në lidhje me kërkesat për viza, thuhet në përgjigjen e Qeverisë gjermane deri të deputetët e të Gjelbërve. Në pyetjen se sa qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar leje për qëndrim në Gjermani për punë apo për trajnim dhe sa persona kanë marrë përgjigje pozitive, gjegjësisht sa janë refuzuar, Qeveria gjermane u përgjigj me përshkrim tabelar. Në pjesën për Maqedoninë qëndron se, në vitin 2016 ju është dhënë vizë 84 personave, të cilët kanë kërkuar vend për trajnim, gjegjësisht praktikë, shtatë personave të cilët kanë kërkuar vend pune, 40 personave të kualifikuar, 54 persona të cilët kanë fituar “kartel të kaltër” të BE-së, pesë hulumtuesve, katër docent dhe profesorë, 150 persona me arsim të lartë e me kontrata për punë, katër persona të cilët në mënyrë të pavarur kryejnë aktivitete, si dhe 89 persona të tjerë të cilët janë të vendosur në kolonën – të tjetër.


PROCEDURA DERI TE SIGURIMI I NJË VENDI PUNE NË GJERMANI

Gjatë dorëzimit të kërkesës për vizë, kërkuesi për punë duhet të ketë siguruar miratim nga Agjencia Gjermane për Punë. Pastaj pritet termin në ambasadën gjermane në vendin përkatës për të paraqitur kërkesën, me çka vijon periudhë prej disa javë për përpunim dhe shqyrtim të kërkesës. Gjatë gjithë kësaj kohe, punëdhënësit në Gjermani presin punëtorin, të cilin e kanë zgjedhur më në fund të arrijë në vend dhe të fillojë me punë. Qeveria gjermane vlerëson se, duke pasur parasysh mungesën e ekspertëve, urgjentisht duhet të shkurtohet pritja dhe të përshpejtohet e tërë procedura./Koha

Komentet
Top