Lufta për ajër në Tetovë – VIDEO

safe_image1.jpg

Tetova me rrethinë, aktualisht ndodhet në një gjendje alarmante të ndotjes së ajrit.

Kjo ka bërë që qytetarët atje, të nisin përpjekjet e tyre, për t’i shpëtuar më të keqes, pasi pati shumë të atillë, që u prekën, e nuk i rezistuan dot kësaj.

Të dhënat flasin për një prezencë të madhe të grimcave kancerogjene në ajër.

Në Tetovë, këto grimca, që ndryshe quhen PM-10, arrijnë deri në njëzet herë më të larta se normalja.

Sasia e lejuar e këtyre grimcave në ajër është 50 mikro gramë për metër kub, ndërsa ajo në këto troje ka arritur me qindra, duke shkuar edhe deri rreth një mijë mikro gramë për metër kub.

Kjo shkallë e ndotjes, ka shqetësuar të gjitha kategoritë shoqërore, përveç pushtetarëve në nivel qendror.

Nevzat Kica, dyshon se helmimi i ajrit, ishte shkaktari që vëllai i vdiq pikërisht nga kanceri, vitin e kaluar.

Edhe pse shteti nuk u kujdes asnjëherë që përveç që të sigurojë ambient të pastër, nuk ofrojë të dhëna të sakta mbi numrin e të prekurve nga kanceri.

Sidoqoftë, të dhënat e publikuara më parë, flasin që për tri vite numri i të prekurve nga kjo sëmundje vetëm në Tetovë, është rritur për 80 %.

Në vitin 2010, ishin 1319 persona, në 2012-ën – 2268 perosna, ndërsa më 2013, numri i të prekurve nga kanceri arriti shifrën 2375 persona.

Probleme tjera të mëdha për këta banorë, po paraqiten edhe rastet e shpeshta të aborteve spontane.

Dyshimi i mjekëve dhe gjinekologëve, lind pikërisht të sasia e madhe e grimcave kancerogjene në ajrin që për çdo ditë thithin gratë shtatëzëna.

Qytetarët akuzojnë institucionet publike shëndetësore, se qëllimisht po i heshtin rastet, derisa nuk po ofrojnë të dhëna.

Mediat lokale e qendrore në Maqedoni, vazhdimisht kanë raportuar për këto rreziqe, mirëpo shteti ka vazhduar të mbaj gojën mbyllur.

Sipas tyre, vetëm gjatë vitit të kaluar në Tetovë, mbi 100 foshnja kanë vdekur nga gratë shqiptare.

Gjithashtu, shqetësim tjetër i madh për këtë qytet, është edhe numri në rritje i qytetarëve që po kanë probleme me frymarrje.

Janë disa faktorë, që llogaritet se ndikojnë që kjo trevë të ketë një mjedis, aspak të pastër.

Mirëpo, ajo që njohësit, qytetarët, mjekët por edhe politikanët, e shohin si kryesorin, është fabrika e përpunimit të metaleve “Jugohrom”, që gjendet disa kilometra nga Tetova.

Arianit Xhaferi, udhëheqës i “Eco Guerilla”, duke folur për problemin që po shqetëson tej mase banorët e Tetovës, thotë se qeveria nuk i ka dëgjuar kërkesat e tyre. Përkundrazi, thotë ai, “ata kanë përkrahur Jugohromin”.

Kryetarja e kësaj komune, Teuta Arifi, thotë se po bën përpjekje që kjo situatë të tejkalohet, megjithëse shprehet se kompetencat në këtë drejtim i ka niveli qendror, së cilit thotë se i ka kërkuar marrjen e masave urgjente./Koha Vision

Komentet

Leave a Reply

Top