Lufta e “vogël” e Lulit të “madh”

0-136.jpg

Ka një arsye pse të gjitha rrugët shpijnë në kryeqytet. Kjo nuk vlen vetëm për gjeografinë, por sidomos për politikën. Lëvizjet mund të fillojnë në periferi të vendit, por nëse idetë nuk ngjizen, apo nuk lëshojnë rrënjë dhe gjejnë përkrahje në kryeqytet, e tëra kthehet në diçka thjesht të neglizhueshme. Në rastin e Shqipërisë, ku më shumë se një e treta e popullsisë së vendit jeton në Tiranë, tani që jemi në “vrullin” e protestës së opozitës, ky fakt është diçka për të cilin Lul Basha do të duhej të mendonte shumë dhe të reflektonte thellë. Protesta e tij në bulevard nuk gëzon përkrahjen e tironsve, për më tepër ata janë duke e injoruar pothuajse tërësisht!

U bënë gati një muaj që kur është ngritur çadra përballë kryeministrisë, ndërkaq prania e saj më nuk përbën ndonjë lajm të veçantë. Nuk dua të bëhem një nga ata që me dashakeqësi ironizon, duke thënë se çadra është kthyer në një vendtakim njerëzish që nuk kanë çfarë bëjnë, por, sikur të isha një nga liderët demokratë, me shumë të drejtë, do të pyesja: pse nuk kemi solidarizim, qoftë edhe reagim simbolik të tironsve?

Nuk e di nëse liderët demokratë janë të vetëdijshëm për atë se banorët e Tiranës, qytetarë të vjetër apo të rinj, thjesht, po vazhdojnë jetën e tyre. Injorimin që po ia bëjnë çadrës, nuk shprehet vetëm me faktin se pakkush shkon aty, apo edhe me atë se, brenda pak ditësh, tironsit kanë krijuar organikën e re të qarkullimit rrugor në Tiranë, në injorim total të çadrës, por edhe me ndonjë të sharë nga qytetarë nevojtarë që duan ta rikthejnë bulevardin e vet.

Çadra, e menduar si një vend që do të kthehej në vendtakim popullor të të gjithëve, pikënisje i luftës së madhe që e paralajmëroi Lul Basha, është kthyer në një dekor të keq, shumë arkaik, të kryeqytetit tonë.

Lufta që Lulin do ta rriste e do ta bënte të madh, u kthye në një luftë të vogël, furtunë në një filxhan çaji, që as edhe vetë demokratët nuk e besojnë. E them me plot gojë, sepse nuk është se, në Tiranë, PD-ja nuk ka mjaftueshëm simpatizantë sa për ta mbajtur bulevardin të ndezur flakë, ditë e natë. Ata thjesht nuk besojnë në luftën e madhe të Lulit të tyre!

Dhe për ta promovuar këtë luftë, nuk mjaftoi as ardhja nga Amerika e “përfaqësuesve të partisë së Trumpit”, pasi që edhe ne në Shqipëri i kemi mësuar marifetet e “K Street” në DC dhe e dimë se këto gjëra aranzhohen me para të majme, nëpërmjet kompanive lobiste të vendosura në këtë rrugë të Vashingtonit.

Mbase, pyetja e drejtë do të ishte: prej nga vinë lekët që të paguhen këta lobistë, që nuk janë aspak të lirë? Apo sa ka kushtuar shkrimi i sponsorizuar në Washington Times, si pjesë e përpjekjes për character assasination të Ambasadorit Lu dhe fushatës së tij pro vetingut? Washington Times lexohet nga anëtarët e Kongresit, Senatit dhe gjithë establishmenti politik në DC, republikanë apo demokratë, por, po ashtu dihet, se kjo gazetë është edhe arenë ku publikohen shkrimet e sponsorizuara nga kompanitë lobiste në “K Street”.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse Washington Times nuk është një nga shtyllat e gazetarisë në DC, rrjedhimisht nuk ka ndikimin politik që “K Street” e propagandon. Nuk kreu punë as fushata kundër Sorosit, pasi që pakkush, djathtas apo majtas, nuk ka lënë pa ngrënë bukë të Sorosit. Madje edhe vetë çadra, mënyra si u ngrit e nga kush u ngrit, ka pak investim të Sorosit, ndërkaq demokratët këtë e dinë mirë.

Injorimin total që BE-ja, jo vetëm nëpërmjet indiferencës së Ambasadores Vllahutin, po i bën çadrës dhe luftës së vogël të Lulit, Basha u përpoq ta neglizhojë duke lozur rolin e dikujt që shpërfill institucionet e BE-së. Luli tha, disa herë, se ai nuk merret me deklaratat e zyrtarëve (saktë zëdhënësve) të BE-së, pasi që ai ka për bazë përkrahjen e partive popullore të Evropës.

Goxha ironi, kryetari i partisë që ka vënë themelet e demokracisë institucionale në Shqipëri, të shprehet me nuanca anarkiste, me gjuhën e atyre që duan ta shkatërrojnë BE-në dhe institucionet e saj. Apo Lulit duhet t’ia përkujtojmë se Angela Merkel, si më e fuqishmja në mesin e liderëve të partive popullore në Evropë, po ashtu e injoron çadrën dhe luftën e vogël të Lulit.

Të vetmit që kanë interes nga lufta e Lulit janë instrumentet e politikës ruse në rajon, që nuk duan të kenë një Shqipëri stabile e të fortë, që ngre zërin për çështjen shqiptare në vendet fqinje. Një Shqipëri që u del zot bashkëkombësve të vet dhe që nuk hesht më. Por këta duan që Shqipëria përsëri të zhytet në kaos e të kthehet në një shtet të dështuar, një shtet me të cilin ata mund të bëjnë çfarë të duan.

Efekti i vetëm pozitiv nga lufta e “vogël” e Lulit të” madh” është zgjimi nga gjumi i Kryeministrit Rama, që si duket ka kuptuar se duhet të angazhohet përtej retorikës së tij plot cinizëm dhe ironi, përndryshe edhe ai mund të ketë fatin që nesër të injorohet njësoj si Luli, pastaj vetëdijesimi i kryeministrit se duhet të respektojë interesat e partnerit të tij të koalicionit, por edhe të shkundë nga vendi oligarkët e rinj që ka krijuar qeverisja e tij.
Në ndërkohë Tiranë do të vazhdojë ritmin e vet të jetës, të qetë dhe pa shumë zhurmë, në injorim total të luftërave të mëdha e të vogla.

Më në fund, edhe ne, shqiptarët, e kemi kuptuar, se duke bërë argatë për luftëra të të tjerëve, vetëm sa i mbajmë në pozitë po të njëjtit njerëz. Ndërkaq, Luli do të duhej të mendonte për luftën e vërtetë të madhe, që ai mund dhe duhet ta bëjë: atë me realitetin, që vazhdimisht është duke e injoruar.

Një luftë aspak e lehtë, por që atij do t’i shërbente si një zgjim nga gjumi. Mbase atëherë gjërat edhe do të mund të ndryshonin dhe lufta e tij të orientohej drejt objektivash reale dhe të arritshme, ndërkaq në të tjerët do të mund të merrnin frymë më lirshëm, gjithnjë në qetësinë tonë.

Komentet
Top