Kur Islami ishte në modë

Screen-Shot-2016-12-22-at-10.06.10.jpg

Sot tingëllon pothuaj e pamundur, por ka patur një kohë kur bota myslimane joshte letrarë, artistë, udhëtarë perëndimorë, me sugjestionet e saj ekzotike. Një klishe tashmë e perënduar, por e zëvendësuar nga të tjera. Shumë më shqetësuese. Rikthim në të kaluarën

Përshpejtimi që ka pësuar historia në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, ka përfshirë të gjithë në një ndikim, forca e të cilit ka qenë e nënvlerësuar deri më tani. Madje edhe sot, publiku më i informuar e ka të vështirë të deshifrojë kompleksitetin e historive dhe qytetërimeve, për të cilat deri dje mendonim se mund të bënim edhe pa to. Le të përpiqemi pra të deshifrojmë këtë kompleksitet.

Siç ndodh shpesh me ëndrrat, edhe ai i Perëndimit mbi një Lindje misterioze, udhëhiqej fillimisht nga interesa materiale. Lindja e Mesme qe në sytë tanë një treg i madh. Ishte ura lidhëse me Lindjen e Largët. Pasuritë e Indisë ndaleshin në Xhedah, në Detin e Kuq. Kësisoj Meka për ne ishte sinonimi i një magazinë të madhe perandorake tregtare.

Por kur lundërtari i madh portugez, Vasko de Gama, mbërriti në Indi duke kapërcyer Kepin e Shpresës së Mirë, Meka pushoi së qëni poli tregtar. Ishte viti 1498. Rruga e tregtisë ndryshoi trajektore, por aventurat ishin shumë më të gjata se sa mund t’i përshkruanin kronikat e kohës. Madje, pasi shpërtheu një zjarr që u përhap në shekujt VIII- IX.

Një tabllo e piktorit francez Henri-Leopold Levi, paraqet Napoleon Bonapartin hipur mbi kalë në xhaminë e madhe të Kajros. Një episod epokal. Perandori i ardhshëm, ndërmjet viteve 1798- 1801, pushtoi ushtarakisht Egjiptin dhe Sirinë e Madhe. Dy muaj pas disfatës së Vaterlosë në vitin 1815, Emanuel de Las Kasas, që mblodhi kujtimet e mërgimtarit të Shën Helenës, do të shkruante:”Qëndrimi i xhamisë së madhe në Kajro, në favor të ushtrisë franceze, ishte një kryevepër e aftësisë. Napoleoni e detyroi sinodin e dijetarëve të mëdhenj islamë, të shpallte me dekret se myslimanët mund t’i bindeshin dhe paguanin haraç gjeneralit francez. Ky ishte shembulli i parë dhe i vetëm i këtij lloji pas predikimit të Kuranit, që ndalon nënshtrimin ndaj të pafeve”.

Napoleoni në Egjipt, kishte thyer akullin. U quajt Kebir, babai i zjarrit. Kaloi shkretëtirën hipur mbi një deve, shpina e ashpër e të cilës i shkaktoi të vjella edhe më të këqija se sa në bordin e një anijeje, por as ndryshimet në raportin e forcave në terren nuk e penguan atë nga imponimi i shpalljes së “Description de l’Égypte”, që u publikua më vonë në 23 vëllime ndërmjet viteve 1809-1829, vepra e parë e madhe që i hapi perëndimit dyert e shenjta të Lindjes.

Nga ai moment, Arabia u bë shumë e studiuar, e eksploruar nga britanikët dhe e fshehur nga francezët. Udhëtimi në Levant u shndërrua në një zgjatim të Grand Tour, ku rrënojat klasike dhe helenistike të vendeve të Lindjes së Mesme, krijuan një lidhje të vazhdimësisë me qytetërimin tonë. Jo vetëm kaq:Arabia mbetej porta drejt Indisë. Përgjatë kësaj rruge, mbërriti në Perëndim, plot bujë, Kamasutra.

Dhe Napoleoni, pas fushatës ushtarake që kishte qenë trampolina për këtë fiksim të ri, mbajti kontakte të dendura me emisarë të fshehtë. Spiunë. Ishin ata, të parët dhe më të kthjellëtit e shkrimtarëve, që rrahën rrugën. Sot ne njohim imazhin mitik të Orientit të Shatobrianit, Nervalit, Gotiesë, Floberit. Por shumë më realiste ishte bota e përshkruar nga aventurierët “e maskuar” të Shoqatës Afrikane apo të Shoqatës Mbretërore të Gjeografike.

Burra guximtarë, shumë prej të cilëve të veshur si arabë shkonin për Haxh, pelegrinazh në Mekë, “duke dëshmuar” aftësi të jashtëzakonshme kamuflazhi”. Një nga këta, ishte misteriozi Ali Bej Al-Abazi, katalanas me origjinë hebreje, që shumë herë pas udhëtimeve të tij i raportoi personalisht Napoleonit, dhe pastaj shpërblehej nga vëllai i tij më i madh, Zhozefi.

Thuhet se ai u helmua nga shërbimet konkurrente të inteligjencës britanike, por pati kohë të shihte në vitin 1816 pushtimin e parë të Mekës nga ana e fondamentalistëve vahabistë. E dyta, më e fundit, në 20 nëntor 1979, zgjati dy javë dhe kulmoi me një gjakderdhje. Sot konsiderohet si akti i lindjes së xhihadit modern dhe episodi që kulmoi me sulmet terroriste të 11 shtatorit

në SHBA.

Harem, vello, banjo turke, despotizëm, koka të prera, odaliska, deve, plaçkitës, beduinë, shkretëtirë: janë sikurse Meka, fjalët kyçe të fjalorit të një letrari, fjalë të përdorura në rrëfimet

që kanë parë gjithnjë dominimin e magjepsjes narrative mbi dëshmitë e drejtpërdrejta. Fitoi imagjinata. Tek e fundit, dhimbja më e përhapur e Afrikës në mesin e udhëtarëve orientalistë ishte oftalmia. Bëhej fjalë për një problem në sy për shkak të diellit verbues, çka shkaktonte një lloj trullosje ekzistenciale. Me pak fjalë, një defekt në perceptim.

Komentet