KSHZ me aplikacion për paraqitje të votuesve nga diaspora

0-162.jpg

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve (KSHZ) sot në ueb faqen e vet duhet të publikojë aplikacion të posaçëm për paraqitje për votim të shtetasve të Republikës së Maqedonisë, të cilët jetojnë në vendet e huaja për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në dhjetor.

Komisioni dje vonë pasdite e miratoi rregulloren për kryerjen e veprimeve zgjedhore për zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor, ku është paraparë që paraqitja për votim të shtetasve të Maqedonisë të fillojë nga shpallja e zgjedhjeve dhe të zgjat deri më 11 nëntor, kur përfundon kontrolli publik në Listën zgjedhore për të gjithë personat me të drejtë vote.

Në seancë anëtarët e KSHZ-së e paralajmëruan këtë aplikacion të posaçëm përmes të cilit shtetasit e Maqedonisë që jetojnë jashtë shtetit do të duhet të plotësojnë fletparaqitje për votim. Ata rreth 80.000 që janë në bazë të MPB-së dhe janë shënuar në Listën zgjedhore si të shpërngulur, do të duhet vetëm ta plotësojnë fletparaqitjen, ndërsa të tjerët të cilët nuk jetojnë në vend më shumë se tre muaj do të duhet të parashtrojnë dokumente adekuate, si dëshmi se jetojnë jashtë Maqedonisë.

Kontrolli publik në Listën zgjedhore në sektoret rajonale të KSHZ-së dhe zyret e bashkësisë lokale do të fillojë më 28 tetor dhe do të zgjat 15 ditë, respektivisht deri më 11 nëntor.

Gjatë kontrollit publik, të drejtë të paraqiten për votim do të kenë 30.447 votues të cilët ishin me të dhëna kontestuese gjatë pastrimit të fundit të Listës zgjedhore.

KSHZ-ja pret nga Ministria e Punëve të Brendshme sot që deri te ata të parashtrohen të dhëna për persona të cilët kanë mbushur ose do të mbushin 18 vjet deri në ditën e zgjedhjeve, si dhe fotografi të tyre të cilat do të parashtrohen në Listën zgjedhore.

Sipas rregullave ligjore aktuale, Lista zgjedhore për këto zgjedhje, përveç të dhënave për votuesit, do të përmbajë edhe fotografi, që do të duhej t’i zvogëlojë mundësitë për keqpërdorime zgjedhore dhe parregullsi.

Lista e afateve parashikon që listat për kandidatë për deputetë, partitë politike dhe kandidatët e pavarur duhet t’i parashtrojnë në KSHZ më së voni deri më 11 nëntor në mesnatë. Fushata zgjedhore fillon më 21 nëntor, ndërsa përfundon më 9 dhjetor.

Nga shpallja e zgjedhjeve në fuqi kanë hyrë edhe afatet të cilat kanë të bëjnë me radiodifuzerët dhe mediat.

Komentet