Kriza politike në Maqedoni, sanksione të mundshme nga SHBA-të

Fontana-e-re-ne-Shkup.png

Porositë e Departamentit Amerikan të Shtetit se të gjithë ata që pengojnë proceset demokratike në vend do të japin përgjegjësi nënkupton paralajmërimin e sanksioneve që mund të pasojnë. Ish ambasadori në NATO Nano Ruzhin thekson se porosia e DASH-it në thelb përmban sanksione individuale ndaj aktorëve politik në Maqedoni, të cilat sipas tij do t’i mbështesin edhe shtete tjera të BE-së.

 Nga vetë fakti se herën e fundit Uashingtoni dhe Departamenti Amerikan i Shtetit shprehin qartë qëndrimin se politikanët të cilët bllokojnë formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit tregon se është paralajmërim ndaj politikanëve të cilët do të gjenden para sanksioneve individuale – deklaroi profesori Nano Ruzhin.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Bekim Kadriu vlerëson se porositë që vijnë nga jashtë janë parapërgatitje për formimin e qeverisë nga shumica e re e cila do të njihet nga faktori ndërkombëtar.

 Unë mendoj se ato përgatisin terren që nesër të mundet që një Qeveri e tillë e zgjedhur të ketë njohje edhe nga shtetet e BE-se dhe SHBA-ve, pra thjeshtë të ketë legjitimitet dhe mbështetje të plotë. Për shkak se zgjedhja e Qeverisë pa dhënien e mandatit do të jetë një masë e jashtëzakonshme si rezultat i shkeljes së Kushtetutës nga vetë Presidenti Ivanov. Pra do të jetë një mjet i jashtëzakonshëm juridik – tha profesori tjetër Bekim Kadriu.

Uashingtoni zyrtar doli për herë të parë me një porosi të fuqishme dhe të drejtpërdrejtë ndaj politikanëve në Maqedoni. Departamenti amerikan i shtetit porositi se politikanët duhet të ju japin fund obstruksioneve në të kundërtën do të përgjigjen për veprimet e tyre. DASH tërheq vëmendjen se politikanët që përpiqen ta bllokojnë formimin e qeverisë cenojnë sundimin e të drejtës, proceset demokratike si dhe stabilitetin e Maqedonisë dhe rajonit më gjerë. Pavarësisht paralajmërimeve të faktorit ndërkombëtar si dhe vizitave të një pas njëshme të zyrtarëve më të lartë të Brukselit, presidenti Gjorge Ivanov nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij për të mos i besuar mandatin liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Së fundi, Ivanov ritheksoi se nuk do ta japë mandatin për formimin e Qeverisë së re deri në mënjanimin e plotë të të gjitha pengesave juridike dhe politike.

Komentet
Top