Kriza politike dhe zgjedhjet lokale, ja çfarë mund të ndodhë në Maqedoni!

085dzgjedhje.jpg

Zgjidhja që kanë ofruar ministria e pushtetit lokal dhe Bashkësia e njësive të vetëqeverisjes lokale që mandati i kryetarëve dhe këshilltarëve komunal të vlejë deri në mesin e muajit maj nuk eliminon përfundimisht rrezikun që komunat të ngelin pa udhëheqës. Sipas afateve të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, zgjedhjet lokale duhet të caktohen 70 ditë para ditës së votimit, andaj zgjedhjet e ardhshme lokale sipas këtij afati nuk mund të mbahen para muajit Qershor. Andaj që nga gjysma e muajit maj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale komunat përsëri mbeten pa udhëheqës. Kjo situatë sipas ekspertëve do të bllokojë punën e institucioneve komunale, do të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në jetën e qytetarëve, si dhe do thellojë krizën politike.

“Komunat janë institucione që praktikisht, në bazë të definicionit të decentralizimit, janë pushteti i cili është më afër qytetarëve dhe defunksionalizimi i komunave do ta shtojë krizën në vend dhe kjo drejtpërdrejt do të prekë edhe qytetarët, për shkak se kompetencat që kanë komunat, kanë formë direkte edhe në arsim, edhe në çështje të urbanizmit, si dhe të mirëmbajtjes në nivel komunal”, tha analisti Bashkim Bakiu.

Kjo situatë sipas Bakiut duhet të zgjidhet përmes ndryshimeve ligjore të cilat do të mundësojnë që drejtuesit e komunave të kryejnë të paktën detyrat të cilat janë patjetërsueshme siç është lëshimi i pagave për të punësuarit dhe projektet e filluara.

“Për të zgjatur këtë proces, nuk besoj se do të ketë zgjidhje politike, përveç se të mblidhet parlamenti dhe kryetari i parlamentit të shpallë zgjedhjet në bazë të afatit të mundshëm, ose të prolongohen në një afat minimal dhe në kuadër të asaj të intervenohet në ligjin për vetëqeverisje lokale ose në kodin zgjedhor, që të shtyhen zgjedhjet dhe të gjendet një modus që së paku në aspektin financiar në këtë periudhë të prolongimit të zgjedhjeve, të kenë peshë edhe këshilltarët edhe kryetarët e komunave dhe të kenë të drejtë për vendimmarrje”, theksoi Bakiu.

Këto komente Bakiu i bëri në emisionin “Gjurmë” të transmetuar mbrëmë në televizionin Shenja ku u shpalosën të gjitha pasojat nga shtyrja e zgjedhjeve lokale dhe thellimi i krizës institucionale dhe politike në vend.
Arben Zeqiri /SHENJA/

Komentet
Top