Kredit për bukë

23.20-AKTUALE-Uria-nuk-ka-çmim.-750x430.jpg

Përveç kërkesave të larta të kredive që qytetarët po aplikojnë në Bankat komerciale në Maqedoni, gati një vit kanë filluar të operojnë dhe disa institucione mikro financiare që ofrojnë kredi të vogla për individë me të ardhura të ulëta, shkruan gazeta KOHA. Për momentin aktuale janë tre institucione mikrofinanciare, Credisimo, M-Kash dhe Forza, që ofrojnë kredi të shpejta që fillojnë nga 3000 denarë deri më 40.000 mijë denarë, me afat kthimi prej 15 ditëve deri më 12 muaj. Ndërkaq, karakteristikë në këto institucione mbetet se nuk kërkohet llogari bankare, procedurat e marrjes janë të shpejta, ndërkaq pagesa e kësteve mund të realizohet edhe në baza javore. Arsyeja e vetme se pse qytetarët gjithnjë e më shumë po përcaktohet për këto kredi të shpejta, sipas ekspertëve për çështje ekonomike janë për shkak se  procedurat e marrjes së kredive janë më të lehta se sa në bankat komerciale. “Marrja e kredisë bëhet shpejtë dhe lehtë. Deri te parat mbërrin për disa minuta dhe pa garantues, formalitete këto që i kërkojnë bankat tjera”, thotë Sinisha Pekeski, analist ekonomik.

Këto lloje të kredive të shpejta, sipas Pekeskit, janë të mirëseardhura për disa kategori qytetarëve që kanë nevojë urgjente për shuma të vogla, të cilat në të shumtën e rasteve shfrytëzohen për plotësimin e buxhetit familjar apo për të mbuluar harxhimet e paparashikueshme në familje edhe për kundër faktit se kamatat e këtyre kredive janë jashtëzakonisht të larta.

”Qytetarët në pamundësi për të mbijetuar muajin me pagat që i marrin, me vetëdije përcaktohen për këtë lloj kredie, edhe pse e kanë shumë të qarte se kamatat e këtyre kredive të shpejta janë jashtëzakonisht të larta. Arsyetimi i tyre i vetëm është se ato kanë procedura më të lehta për qasje në kredi, sesa bankat komerciale, të cilat janë më rigoroze në dhënien e kredive, për shkak të riskut të tyre për kthimin e kredive”, thotë Pekeski.

Ndërkohë Despina Tumanovska, eksperte ekonomike, thotë për KOHA se kur çdo i treti qytetarët në Maqedoni nuk është në gjendje të paguajë faturat komunale apo të blejë gjërat elementare për ushqim si alternative për të plotësuar buxhetin familjar, e shohin në marrjen e kredive të vogla. “Kur kemi parasysh se të dhënat statistikore tregojnë se 28,4 për qind e popullatës në Maqedoni kanë problem serioze financiare për të blerë ushqim apo për të paguar faturat komunale, është e patjetërsueshme që kjo kategori e qytetarëve, që përbën pothuajse 70 për qind të popullatës, të kërkojë burime tjera financiare, më qëllim të plotësimit të nevojave elementare për jetesë. Krahas kredive bankare, për momentin janë aktuale kreditë e shpejta, për të cilat procesi i aplikimit është shumë i thjeshtësuar, mirëpo kamatat sillen rreth 10 për qind, që është shumë më e lartë se kamata e bankave komerciale që ofrojnë kredi për momentin. Ende nuk ka të dhëna zyrtare se sa është vlera e këtyre kredive të marra nga qytetarët, por vlerësohet se qytetarët janë të gatshëm të paguajnë çmim më të lartë vetëm e vetëm të mbijetojnë muajin”, thotë Despina Tumanovska, eksperte ekonomike. Profesori universitar Hamit Aliu, thotë se në një shtet ku mirëqenia ekonomike e qytetarëve është tepër e ulët, lulëzojnë bankat duke ofruar kamata të larta për kredi të vogla individuale.

”Uria nuk ka çmim. Kur rrogën që e mere nuk mjafton të sigurosh të paktën bukën e gojës brenda një muaji, atëherë detyrohesh të gjesh burime tjera financiare për të plotësuar nevojat elementare për jetesë brenda një muaji. Hapja e disa institucioneve të reja financiare që ofrojnë kredi të shpejta më kamata të lartë, është pasqyra reale se çfarë jete mizore bëjnë qytetarët e Maqedonisë. Pra, marrja e kredive të shpejta me kamata të larta, tregon se qytetarët e Maqedonisë çdo ditë edhe më shumë i kaplon mjerimi dhe për të mos mbetur të uritur janë të gatshëm të paguajnë çmim shumë të lartë për të siguruar mjete financiare plotësuese për të mbijetuar muajin”, thotë Hamit Aliu, profesor universitar.

Komentet
Top