Koment: Mirupafshim BE – lamtumirë Skoci?

36054666_303.jpg

Çfarë kaosi! Pikërisht ai bashkim, që është më i rëndësishmi për mbështetësit e Brexit, kërcënon tani të shpërbëhet: Mbretëria e Bashkuar. Sepse Nicola Sturgeon, drejtuesja e nacionalistëve skocezë, e ka seriozisht.

Nicola Sturgeon është kundërshtarja e vërtetë e Theresa May-t dhe për më tepër një kundërshtare shumë e mirë. Ofensivën e saj ajo e nisi në ditën kur neni 50, pra dalja nga BE, kaloi pa pengesë në Parlament. Ashtu si e kishte dëshiruar qeveria.

Heshtja e lordëve

Kryengritja e shpallur në Dhomën e Sipërme të Parlamentit nuk u pa gjëkundi. Lordët me sa duket patën në fund frikë nga kurajoja e tyre dhe dora e gjatë e të ashtuquajturve “Brexiteers”, të cilët mund të bëhen shumë të pakëndshëm para së gjithash në fletushkat bulevardeske: që të të akuzojnë në faqet e para të gazetave ndoshta edhe si armik të popullit, të cilët i vënë shkopinj në rrota qeverisë dhe vullnetit të popullit, ndoshta kjo do t’i kapërcente kufijtë e rrezikut për shëndetin e lordëve dhe të zonjave shpesh në moshë të madhe.

Pra nuk do të ketë siguri për shtetasit e BE që jetojnë në Britaninë e Madhe, siç e patën propozuar lordët, as garanci për Parlamentin, që të japë votën e tij për marrëveshjen me BE në fund të fazës së negociatave – nëse do të ekzistojë një marrëveshje me BE. Fati i vendit, duke përfshirë miliona qytetarët e huaj në BE, është krejtësisht në dorën e qeverisë.

Pikërisht në këtë pikë nuk ka dëshirë të bashkëpunojë Nicola Sturgeon. Ajo duket e bindur që këtë herë mund ta fitojë një referendum – po të mos përfundojë me sukses, çështja e pavarësisë së Skocisë nuk do të jetë më në tryezë për një kohë shumë të gjatë. E lehtë nuk do të bëhet. Sipas sondazheve, për momentin vetëm gjysma e skocezëve e mbështet një veprim unilateral. Ekonomia skoceze është në një gjendje më të keqe se dy vjet më parë, ajo vuan nga rënia e çmimit të naftës. Por edhe numri i votave që u duhen nacionalistëve për t’i bindur bashkëatdhetarët e tij është shumë më i ulët se në referendumin e fundit të Skocisë, në 18 shtator 2014.

Skocezët: evropianë pasionantë

Nicola Sturgeon shfrytëzon faktin që skocezët janë evropianë pasionantë. Mbi gjashtëdhjetë përqind e tyre votuan në referendumin e Brexit për të qendruar në BE. Por ndoshta një Skoci e pavarur duhet të aplikojë nga e para për një anëtarësi në BE, të cilën duhet ta aprovojnë të 27 shtetet anëtare të BE – ka ende shumë pengesa për të kapërcyer.

Shkëputja nga pjesa tjetër e Britanisë së Madhe do të ishte kërcim në një të ardhme të panjohur, paralajmëruan në referendumin e fundit kundërshtarët skocezë të pavarësisë. Tani ky argument nuk vlen më, sepse para një pasigurie të madhe ndodhet i gjithë vendi, dhe ndoshta edhe para një shkarjeje në greminë. Pavarësia dhe përpjekja për të qendruar në BE do të ishte ndoshta një perspektivë që të shqetëson më pak. Që personat që e urrejnë BE, si Nigel Farage bërtasin që aty ku janë se anëtarësia në BE nuk është pavarësi e vërtetë – kjo me gjasa nuk do të impresionojë shumë skocezë.

Komentet
Top