Invalidi i UÇK-së me të dy këmbët e humbur, BDI-ja e la në harresë!

14947869_112671162547088_4957594147553234876_n.jpg

Në 2001 shkuan në luftë për më shumë të drejta për shqiptarët por shumë prej tyre tash pas 16 vitesh janë harruar nga udhëheqësit e tyre të dikurshëm, në pushtet që nga përfundimi i luftës.

Ata kanë mbetur nën mëshirën e të tjerëve meqë nuk ka përkujdesje institucionale të rregullt dhe të përhershme.

Partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni, BDI, u krijua nga ish-luftëtarët, përkatësisht udhëheqësit e UÇK-së. Por e njëjta nuk arriti që të miratojë ligjin aq shumë të premtuar për ish-luftëtarët si Ruzhdi Rexhepi nga fshati Nakushtak.

Shumë invalid të luftës që nga viti 2001 e deri më sot mbeten nën mëshirën e fatit edhe pse partia shqiptare në pushtet vazhdimisht potencon se familjet e dëshmorëve tanimë janë të punësuar nëpër institucione dhe janë “nën përkujdesjen e partisë”.

Por qëndrimin e partisë së BDI-së i demanton rasti i rëndë sociale i Ruzhdiut dhe familjes së tij. Ai dhe familja e tij janë raste sociale pa përkujdesje institucionale dhe pa asnjë beneficion.

Ish-luftëtari i UÇK-së Ruzhdi Rexhepi, gjatë luftës 2001 ka humbur të dy këmbët dhe tani është me proteza. Ai me një zë të mërzitur për Zhurnal.mk rrëfen për vështirësitë që i ka si pasojë e moskujdesjes institucionale për gjendjen e tij tash e 16 vite.

Ai madje thotë, se as partia BDI nuk po i ndihmon më as me të holla por as edhe për nevojat shëndetësore, gjegjësisht për protezat e këmbëve që domosdo duhet t’i ndërrojë çdo 2 vjet.

Rexhepi thotë se ai është rast social dhe se funksionarët e partisë as që nuk ia dinë derën e shtëpisë, e lëre më që ti ndihmojnë financiarisht për ndërrim protezash apo nevoja familjare.

Ruzhdi Rexhepi është i martuar dhe ka katër fëmijë.

“Unë jam rast social. Unë nuk i kam dy këmbë sepse i kam humbë në luftë dhe për këtë shkak nuk mund të punoj. Mua partia (BDI) aspak nuk më ka ndihmuar, vetëm njëherë me zor m’i kanë mbledh disa të holla për protezat që duhet t’i vendos si shkak që nuk i kam këmbët. Unë duhet çdo dy vjet ti ndërrojë protezat. Partia vetëm njëherë më ka ndihmuar për këtë gjë, ndërsa për hera tjera duhet të shkoj jashtë shtetit e nga dashamirët të mbledh të holla për proteza. Partia që ka qenë në pushtet mezi me vonesë herën e parë m’i kanë mbledhë të hollat ndërsa tani nuk ma dinë as derën e shtëpisë ku e kam. Protezat më kushtojnë afro 5-6 mijë euro, por kam pritur 4 vite deri sa më kanë ndihmuar të partisë për këto të holla, d.m.th vetëm këtë ndihmë e kam pasur nga ata, tjetër send asgjë hiç. Aspak nuk jemi të kënaqur se si na ka trajtuar partia shqiptare në pushtet neve invalidëve të luftës,” tha për Zhurnal.mk Ruzhdiu.

“Kisha pasur dëshirë që shteti të bënë diçka për statusin tonë se kjo nuk shkon ashtu, 16 vite presim të zgjidhet statusi jonë, edhe unë kam fëmijë dhe gjendjen e kam të vështirë”, ka bërë ftesë në bisedë me Zhurnal.mk Ruzhdiu.

Dje, anëtarë të BDi-së thanë se ish-ushtarët e UÇK-së “janë pjesë e institucioneve të të gjitha niveleve duke filluar prej në administratë deri te kryetari i ardhshëm i parlamentit.”

“Veteranët dhe familjet e dëshmorëve janë në përkujdesje të partisë, institucioneve dhe shoqatave të veteranëve të luftës. Por duhet të bëhet edhe më shumë për këtë kategori të çmuar të shoqërisë shqiptare”, është arsyetuar kështu në një deklaratë për Zhurnal.mk zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Por me Osmanin nuk pajtohet as Besim Hoda, kreu i OVL-UÇK-së. Sipas tij, mos-përfshirja e statusit të ish-luftëtarëve të UÇK-së është ‘nënçmim eklatant’ dhe qasje e ‘papërgjegjshme’ nga njerëzit kyç të BDI-së.

“Tendenca nga ana e BDI-së dhe e deklaratave të tilla siç është kjo e fundit, edhe njëherë dëshmon tendencën e ulët që pjesëtarët e BDI-së konkretisht mendojnë që lufta e vitit 2001 mund të konkretizohet ose të tkurret duke e marrë të drejtën e saj ekskluzive për të përfaqësuar vetëm një strukturë e cila doli nga disa individ të cilët ishin pjesë e luftës duke harruar që lufta e 2001…Them edhe njëherë se kjo është një nënçmim eklatant dhe shumë i rëndë që u bëhet pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve për shkak se partitë vijnë e shkojnë dhe vlera e UÇK-së, gjaku i dëshmorëve mbi të gjithash është ekskluzivitet i kombit. Për fund UÇK-ja është vlerë kombëtare, ajo kërkon trajtim institucional të përhershëm e jo lëmoshë nga individ e grupacione interesi siç pretendon BDI”, ka deklaruar për Zhurnal.mk. Hoda.

17 vite pas luftës së 2001, BDI nuk arriti që të marrë pajtimin as të LSDM-së e as të VMRO-DPMNE-së, përkundër qeverisjes me to, për të miratuar një ligj për statusin juridik të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

E ndryshe nga kjo pjesëtarët e policisë dhe ushtrisë maqedonase, përkatësisht ‘mbrojtësit’ (maq. Braniteli) tash e kanë një trajtim ligjor dhe marrin beneficione sociale nga shteti.

Komentet
Top