Hamilton rrezikon kontratën prej 35 milionë eurosh tek Mercedesi!

084.jpg

Sa shumë është abuzuar me këtë fjalë. Anarkia. Kjo i shkoi ndërmend drejtuesve të Mercedesit pas Çmimit të Madh të Abu Dabit. Ljuis Hamilton ishte “anarkisti”, pasi hodhi poshtë disa herë urdhërat e skuadrës për të garuar ndryshe dhe për të mos rrezikuar një përplasje me shokun e ekipit, Niko Rosberg. Shefi i Mercedesit, Toto Volf, ishte njeriu që shqiptoi fjalën “anarki”, duke theksuar se “kjo sjellje nuk sjell asgjë të mirë në çfarëdo pune, në çfarëdo skuadre dhe në çfarëdo kompanie”. Volfit nuk i pëlqeu që Hamilton uli shpejtësinë në xhirot e fundit me shpresë që Rosberg do të gabonte nën presionin e pilotëve pranë tij. A do të pezullohet Hamiltoni?, ishte pyetja për Volfin dhe ai u përgjigj se “çdo gjë është e mundshme.

Kjo sjellje e Mercedesit duket shumë e ndryshme nga ajo e skuadrave angleze, Meklaren apo Uilliams, sjellje që krijoi spektaklin e Formula 1 në vitet 80-të, me sfidat brenda skuadrës të Airton Senës dhe Alen Prostit, apo tani vonë të Ljuis Hamiltonit dhe të Fernando Alonsos. Mercedes flet për anarki, ndërsa Hamilton ka si parim lirinë, ndonëse duke rrezikuar jo pak. Në fund të fundit, ashtu si dueli Sena-Prost, titulli nuk mund t’i shpëtonte nga duart Mercedesit, pasi dy pilotët e tij ishin të shkëputur nga rivalët. Çështja ishte se kush do të dilte kampion bote, dhe, ndoshta padashur, Mercedes u rreshtua në krah të pilotit gjerman, në dëm të atij anglez. Mediat shkruajnë se kontrata 35 milionë euroshe e Hamiltonit është në rrezik, por ky kërcënim nuk besohet se mund të ndikojë te një shpirt i lirë dhe rebel si Ljuisi. Mercedes e di se tri herë kampioni i botës është meritori kryesor i spektaklit në një sport që po bëhet gjithnjë e më i mërzitshëm.

Komentet