Gjermani, 30 mijë kurdë protestë kundër Erdogan

0-187.jpg

Rreth 30 mijë kurdë turq kanë protestuar në Frankfurt të Gjermanisë kundër presidentit turk Rexhep Taip Erdogan. Protestuesit kishin ardhur nga e gjithë Gjermania, përpara festimeve të vitit të ri kurd.

Ata bënë thirrje për rikthimin e demokracisë në Turqi dhe për votën jo në referendumin e muajit të ardhshëm mbi rritjen e mëtejshme të fuqive presidenciale. Disa prej protestuesve mbanin edhe simbolet e Partisë së ndaluar me ligj të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Turqia e dënoi këtë demonstratë duke e quajtur “të papranueshme”, ndërsa akuzoi Gjermaninë për hipokrizi që lejoi zhvillimin e saj.

Një mosmarrëveshje diplomatike është përshkallëzuar mes dy vendeve, që kur Gjermania refuzoi të lejonte ministrat turq të zhvillonin mitingje proqeveritare në vendin europian, dy javë më parë.

Zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin tha përmes një deklarate: “Është e papranueshme të shohësh simbolet dhe sloganet e PKK-së, në një kohë kur ministrat dhe ligjvënësit turq u ndaluan të takoheshin me qytetarët e tyre që jetojnë në emigrim. Ne u kujtojmë edhe njëherë vendeve europiane se, më 16 prill, vendimi do të merret nga kombi turk dhe jo nga Europa”.

Komentet
Top