Furtunë dënimesh te Milan-i

milan1.jpg

Është një situatë e nderë në shtëpinë e “Djallit”, ku pritet të mbërrijnë vendimet e Gjykatësit Sportiv, Gerardo Mastrandrea për incidentet që ndodhën në sfidën Juventus-Milan (2-1) për javën e 28-të të Serie A. Sipas “La Gazetta dello Sport”, ai që rrezikon më shumë është Carlos Bacca i cili mund të qëndrojë jashtë fushave të paktën për dy javë për shkak të ofendimeve ndaj arbitrit Massa përpara tunelit që të shpie në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë Milani shpreson që De Sciglo, Poli dhe Donnarumma, që të tre shumë të nervozuar në fund të ndeshjes, të kursehen nga Mastrandrea edhe pse duhet verifikuar se çfarë kanë shkruar inspektorët federalë të pranishëm në Torino.

Gjithsesi përshtypja është se përveç Bacca-s, mund ta paguajë edhe ndonjë nga katet e larta të hierarkisë kuqezi me drejtorin sportiv Maiorino mes të më rrezikuarve, ndërkohë që Galliani mund ta kalojë “pa u lagur” këtë moment. Për sa i takon asaj që ndodhi brenda dhomave të zhveshjes dhe dëmeve të suposuara si të shkaktuara nga ana e disa lojtarëve të Milan-it, ajo që do të vihet në lëvizje në një moment të dytë do të jetë Prokuroria Federale. Por sipas “La Republica”-s, klubi kuqezi rrezikon të marrë një gjobë maksimale.

Mund të mbarojë me kaq nëse Juventus-i nuk paraqet një denoncim formal ose të dalë në skenë ndonjë filmim që mund të rëndojë edhe më shumë situatën e protagonistëve. Në këtë rast, sanksionet do të jenë edhe më të rënda dhe madje mund të çojnë në zbatimin e DASPO, një masë e parashikuar nga ligji italian për rastet e dhunës në stadiume, apo impiante të tjera të disiplinave të ndryshme sportive. Një hipotezë e cila të paktën për momentin nuk ka gjasa të përdoret.

Komentet
Top