Eurokomesari Han me tre eurodeputetë në Shkup, ja agjenda

0-200.jpg

Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han bashkë me tre eurodeputetët, Eduard Kukan, Ivo Vajgël dhe Knut Flekenshtajn, sot vjen në Maqedoni, për t’u përpjekur që ta përshpejtojë procesin e daljes nga kriza politike, pasi presidenti Gjorge Ivanov, nuk ia dha mandatin për formim të Qeverisë kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Agjenda e Johanes Hanit:

Takim me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi, ora 12:40.
Takim me Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA, ora 13:00.
Takim me Ziadin Selën dhe Aleancën për Shqiptarët ora 13:50.
Takim me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, ora 14:55.
Takimi me Zoran Zaevin e LSDM-së, do të jetë në ora 16:10.
Takim me presidentin, Gjorge Ivanov në vilën “Vodno” në ora, 17:45.
Pas presidentit Han do të takohet me kryetarin e Kuvendit, por në agjendë nuk është shkruar emri i kryeparlamentarit.
Takimi i fundit do të jetë me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit në ora, 20:15.
Deklaratë për media, Johanes Han do të japë në ora 21:45.

Të premten, eurokomesari Han porositi se “së pari duhet dorëzim demokratik të pushtetit, e më pas implementim të reformave”. Han apelon për “dorëzim demokratik të pushtetit, si dhe fton politikanët që të implementojnë Marrëveshjen e Përzhinës.

Megjithatë, kjo porosi dhe shumë të tjera të ngjashme – që Ivanov “të mendohet edhe një herë” rreth vendimit për mosdhënie të mandatit, kanë hasur në vesh të shurdhër, pasi që presidenti flet në një linjë me bashkëpartiakun e tij, Nikolla Gruevski, i cili është i prerë që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Eurokomesari Han herën e fundit në Shkup ka qenë më 9 dhe 10 shkurt, ku pati takime me liderët partiak të cilët kanë fituar mandate në përbërjen e re kuvendore, presidentin dhe shoqërinë civile. Pas takimeve me krerët politik të Maqedonisë, tha se më rëndësi është të respektohet Marrëveshja e Përzhinës dhe të krijohet një Qeveri cilësore,

Pasi Ivanov më 1 mars kumtoi se nuk do t’ia jep mandatin Zaevit, Han, nëpërmjet rrjetit social “Twitter” ka komentuar vendimin duke thënë se “të gjithë liderët, përfshirë edhe presidentin, duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve”.

“Në një demokraci, shumica parlamentare duhet pranuar edhe nëse dikujt nuk i pëlqen. Që këtu, pres që të gjithë liderët dhe institucionet, në interes të qytetarëve të lejojnë që të rrjedhin proceset demokratike”, ka shkruar Han.

Para vizitës se eurokomisionerit Han ne Shkup, Rusia shprehet kundër ndërhyrjes së perëndimit në Maqedoni. Ambasadori rus në OSBE Aleksandër Lukasheviç, dje tha se duhen respektuar të drejtat e maqedonasve, duke i lënë të vendosin vetë për fatin e tyre.

Deklaratat e diplomatëve rusë kundër ndërhyrjes së perëndimit në Maqedoni janë shpeshtuar.


Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

Pasi LSDM dorëzoi iniciativë në Kuvend më 17 mars, për vazhdimin e seancës konstituive në Kuvend e cila filloi dhe u ndërpre më 30 dhjetor të vitit 2016, në të cilën duhet të zgjidhet kryetari i ri i shtëpisë legjislative. Kryetari në ikje i Kuvendit, Trajko Veljanovski, në të njëjtën ditë iu përgjigj kërkesës së tyre, duke e caktuar seancën për ditën e sotme në ora 12:00. Në njoftimin e kabinetit të Veljanoskit thuhet se në takimin koordinues duhet të vërtetohet përbërja e Komisionit Kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime (KZE) që do të shërbejë si bazë për caktimin e vazhdimit të seancës konstituive.

Seanca konstituive e Kuvendit filloi me 30 dhjetor dhe atëherë vetëm u verifikuan mandatet e deputetëve. Mbetet që të zgjidhet kryetari i Kuvendit, i cili sipas spekulimeve mediale, pritet të jetë nga radhët e BDI-së.

Sipas procedurës, kryetari i Kuvendit zyrtarisht do të deklarojë se ka shumicë parlamentare dhe do të kërkojë mandat nga presidenti për programin e Qeverisë së re.

Komentet
Top