Erion Veliaj hap kuzhina popullore për të varfërit – VIDEO

1480505116veliaj-mense.jpg

Në Tiranë është hapur mensa e tretë sociale për njerëzit në nevojë, në zonën e Shkozës. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur për krijimin e hapësirave të reja për njerëzit në nevojë.

“Më vjen shumë mirë që më në fund hapëm edhe mensën e tretë të Bashkisë së Tiranës. Patëm premtuar vjet që do të hapnim 3 mensa. Filluam në Kombinat, pastaj në Laprakë, tani në Shkozë. E di që nevojat në këtë qytet janë të shumta, ka pafund probleme që duhen zgjidhur, por megjithatë besoj se kur secili bën maksimumin e vet, kur bashkia bën pjesën e saj, kur komuniteti bën të vetën, lagjja i gjendet njëri–tjetrit, atëherë besoj se është më mirë për të gjithë. Ndaj, dua t’u falenderoj të gjithëve me gjithë zemër edhe për bashkëpunimin”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë deklaroi se hapja e mensave sociale nuk do të ndalet këtu, por do të vijojë me shtrirjen në të gjithë kryeqytetin.

“Ajo që unë zotohem është që, siç kemi nisur me këto 3 mensa sociale, ta vazhdojmë traditën e mirë. Besoj se qyteti vërtet ka probleme, por nuk duhet të vuajë qyteti për disa vakte ata që kanë nevojë dhe për të gjithë ata që janë në një moshë të thyer dhe që kanë nevojë për dorën e qytetit dhe të shtetit. Ndoshta, do të lëmë disa gjëra të tjera pa bërë, por mendoj se kur u kushtojmë rëndësi fëmijëve, të moshuarve, njerëzve në nevojë, i gjithë qyteti bëhet pak më i mirë”, nënvizoi kreu i Bashkisë.

Kreu i Bashkisë bëri të ditur se edhe për festat e fundvitit, bashkia do t’iu gjendet pranë njerëzve në nevojë.

Komentet