Erdogan, detaje të panjohura të “babait” turk

erdogan.jpg

Presidentin turk e donë, e urrejnë, i frikohen… Rrallë ndonjë politikan ka shkaktuar aq shumë polemika në muajt e kaluar si Recep Tayyip Erdogan. Për atë se si është në jetën private pak dihet, edhe pse është në pushtet tashmë 13 vjet. Me ndihmën e ekspertëve, biografëve, kundërshtarëve dhe përkrahësve të Erdoganit, ZDF gjermane xhiroi një emision dokumentar me titull “Njeriu Erdogan – sekretet e presidentit turk”, një lloj e psikogramit të politikanit 62-vjeçar, ndërsa “Bild” e prezantoi në pika të shkurtra. Shumica e turqve e respektojnë presidentin e vet, i cili njihet si njeri i fjalëve të qarta dhe gjestikulim të theksuar, transmeton gazeta metro. “Ai ka karizmin e duhur që të zgjojë krenarinë nacionale të shumë turqve dhe atë e ka shfrytëzuar në dobi të vet”, ka thënë profesoresha e Institutit për studime turke në Stokholm, Jenny Ëhite. Në vitin 2015, Erdogani gjoja pengoi vetëvrasjen njeriut në urë në Stamboll kur kolona e veturave zyrtare rastësisht kalonte andej. Deri atëherë policia përpiqej për një orë e gjysmë që të bindë djaloshin që të heq dorë nga ajo. Erdogani e thirri në veturë dhe kështu e parandaloi tragjedinë. A ka qenë e gjithë kjo e inskenuar apo e vërtetë, vështirë të zbulohet. Paraqitjet e tij si “baba i kombit” kalon mirë sidomos te turqit konservativë. Erdogani është i njohur për nga fjalimet në të cilat thekson se mbrojtja kundër shtatzënisë nuk është në përputhje me fenë dhe se çdo femër duhet të ketë së paku tre fëmijë.

Rrënjët

Erdogani dhe katër vëllezër dhe motra të tij u rritën në një pjesë të varfër detar Kasimpasa, në Stamboll. Babai marinar dhe nëna kanë qenë shumë të dhënë ndaj disiplinës e sidomos ndaj religjionit. Si fëmijë, Erdogan ka luajtur shumë futboll, gjë që gjoja babi i tij e ka ndaluar për shkak se pantallonat e shkurtra nuk janë në përputhje me fenë muslimane. Nëna ka dashur që ai të martohet me një vajzë me fytyrë të mbuluar. Erdogani këtë e ka kundërshtuar, sepse kjo do ta rrezikonte karrierën e tij politike. Nëpër rrugët e ashpra të Kasimpasas, i riu Tayyip ka qenë i detyruar që të provohet qysh shumë i ri. Ka mësuar si të mbrohet. “Kjo e karakterizon edhe sot. Provokon, nuk i ik luftës për pushtet, i duron goditjet dhe është i sigurt se në fund do të fitoj”, thotë Rainer Hermann, ish-korrespondenti i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nga Stambolli. Rrugën deri në politikë e udhëhoqi nëpërmes të angazhimit në Partinë Islamike të Mirëqenies (Refah Partisi). Në vitin 1994 u zgjodh kryebashkiak i Stambollit.

Jeta private

Me bashkëshorten Emine jeton në pallatin presidencial në Ankara. Ndërtesa luksoze me 1000 dhoma dhe sipërfaqe bazë prej 40.000 metrash katror gjendet në mes të zonën së mbrojtur nga natyra. Rolet në familje janë përcaktuar qartë: burri punon, gruaja kujdeset për katër fëmijë dhe amvisëri. Emine Erdogan e përkrah bashkëshortin në qëndrimet e tij, megjithëse në rrethet diplomatike flitet se ajo ndikon te ai që të jetë më i butë. Detajet private rrallë mbërrijnë në publik. “Ai nuk dëshiron që për jetën e tij private të shkruhet nëpër media”, thotë gazetari Umut Yertutan. “E përcjelli 15 vjet, por nuk e di se cili është ushqimi i tij i preferuar apo cilët janë hobit e tij”. Është e njohur se është fetar i madh, që nuk pi cigare as alkool dhe se falet të premteve. Sipas njohurive të një shërbimi perëndimor të inteligjencës, Erdogani që nga viti 2007 ka probleme shëndetësore, rast i komplikuar i diskursit të hernisë, nga i cili ekziston rreziku që të bëhet i paaftë për punë.

I fuqishmi Erdogan

Është e pamundur të vërehen problemet shëndetësore në bazë të paraqitjes së tij në publik, sepse është më aktiv se kurdoherë. Pas grushtështetit në korrik të këtij viti, ka urdhëruar arrestimin e qindra ushtarëve dhe gjykatësve. E ndien se në atë vend ekziston komploti kundër tij, i udhëhequr nga Fetulah Gulen, ish-aleati i tij. Qysh në vitin 2004 është paraqitur krejtësisht ndryshe – si përparimtar dhe reformator, derisa nga kancelari gjerman Gerhard Schroeder e fitoi epitetin “evropian i vitit”. Atëherë dëshironte që Turqia të hyjë në BE me çdo kusht. Hoqi dorë kur vërejti se Brukseli dhe BE po i përzihen në politikën e brendshme. Prej atëherë gjithnjë e më shumë po radikalizohet, pohojnë ekspertët në emisionin dokumentar. Ka arrestuar dhe ndjekur armiqtë politikë, nuk duron kritikën dhe ka marrë mbi vete më shumë kompetenca. “Sa më tepër fuqi që fitonte, aq më shumë helmohej nga ajo. Ky helm nuk ka kapluar vetëm atë, por edhe gjithë Turqinë”, thotë Can Dundar, ish kryeredaktor i gazetës “Cumuriet”.

 

Erdogani kontrovers

Në funksionin president i shtetit fiton rreth 9000 euro në muaj, por është i njohur si multimilioner, nga pjesa e varfër e Stambollit arriti në elitën turke, transmeton gazetametro.net. Në të kaluarën shpesh e kanë akuzuar për korrupsion. Në vitin 2013 janë publikuar incizimet e bisedave telefonike të presidentit me birin e tij Bilal, në të cilat gjoja i ka thënë që të largojë një sasi të madhe të parave të gatshme. Erdogan pohon se fjala është për falsifikim dhe se pas gjithë këtij komploti qëndron Gulen dhe njerëzit e tij. Procedurë të rregullt ligjore kurrë nuk ka pasur, sepse në mes tjerash, gjykatësi kompetent për këtë rast është arrestuar. Ky skandal është një prej sekreteve më të mëdha të Rejep Tayyip Erdoganit. Është pikëpyetje nëse ndonjëherë do të ndriçohet ky rast.

Komentet
Top