Edi Rama te Molla e Kuqe

0-164.jpg

Ky mund të ju duket titull i ndonjë kënge me sharkia, çiftelia. Nuk është. Edi është tip modern. Pra, ky është një shkrim për Edin, i cili është udhëheqësi i parë shqiptar i cili e vizitoi Mollën e Kuqe. Ky shkrim shprehë atmosferën dhe efektin e vizitës së tij në Serbi, në një samit i cili po mbahet në afërsi të kufirit me Kosovën, kufirit të shtyrë dikur nga spastrimet etnike që i kishte bërë ushtria serbe, pas shpalljes së pavarësisë së tyre nga perandoria Osmane.

Për ata që nuk e dijnë, fshati Katun, afër Aleksincit, ndodhej dikur në kuadër të Sangjakut të Nishit. Aty ishte një doganë, në vijën ndarëse në mes të perandorisë Osmane dhe shtetit serb. Në oborrin e sajë, ishte një mollë e kuqe. Nga frutat e sajë i mbeti edhe emri. Ajo pemë u rritë e madhe dhe mbijetoi edhe shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve nga ana e shtetit të ri serb. Në arën, tashmë të mbushur me ferra të nacionalizmit shqiptar, ajo ende e përskuqë kujtesën kolektive. Kjo është një storie e ngjashme me atë të çamëve, të djegur dhe të përndjekur nga ana e shtetit grek. Molla e Kuqe përmendet edhe ndër çamët. Por, Edi Rama nuk shkoi në samit, në jug, por kësaj radhe vendosi të filloi me Mollën e Kuqe , në veri. Më saktë në veri-lindje. Mollën e Kuqe, nuk e përmendi, sepse ajo nuk mund të përmendet në të njëjtën fjali me Goran Bregoviqin dhe Ivo Andriqin. Ku këngët e Goranit, ku këngët për Mollën e Kuqe. Ata ishin nacionalist, e Edi nuk është.

Sido që të jetë, në njërën nga këngët më të popullarizuara të nacionalizmës shqiptare, e cila ka një melodi ritmike, me të cilën edhe sot vallëzohet deri në ekstazë, është kënga të cilën në rrjet e gjeni me titull: “Dej te Molla e Kuqe, e jona Shipnia”. Samiti shqiptaro-serb i mbajtur pikërisht në “Sanxhakun” e Nishit, ka edhe mesazhe politike. Edi mund të mos i ketë të ditura krejt këto. Në botë nuk e merr dot shtetësinë e një vendi nëse nuk e njeh historinë e tij, ndërkohë që te ne kjo është përparësi. Dikush preferon që historia të përsëritet.

Por, Edi nuk flet për pronat, interesat e të shpërngulurve, as në veri, dhe mirë që iu dha rasti të flasë mirë së paku për Kosovën. Edi flet për mahnitjen e tij me Kusturicën, Andriqin, Bregoviqin, për anën e tyre të ndritshme. Të errtën ai nuk e di, ose nuk do të e dij dhe me këtë i zemëroi kujdestarët e identitetit kosovarë.

Sido që të jetë, refreni i saj, i këngës pra, përvëlon zemrat dhe djeg yndyrën e kombit tonë të majmur, nëpër dasmat verore anë e mbanë Shqipërisë globale. Qysh prej Tivari deri në Alaskë, interneti vlon, dhe shqipja hedh valle: «Hidhet vallja, vallja me shamia, dej te Molla e Kuqe, e jona Shipnia»”, këndojnë e vajtojnë këngëtarët dhe politikanët në internet. Kur jemi te vallëzimi, në “Youtube” do të e gjeni duke vallëzuar nën tingujt dhe fjalët e kësaj kënge edhe vetë shkëlqesinë e sajë , ish- ambasadoren e SHBA në Kosovë. Pikërisht atë e cila e zhgënjyer me klasën politike në Kosovë, para vendimeve të mëdha, u tërhiqte vërejtjen publikisht udhëheqjes , me fjalët: “Mos e dh….”.

Nejse , për Mollën e Kuqe, mund të mos keni dëgjuar, madje edhe mund të keni dyshuar se ekziston fare, por, Edi Ramën e njihni të gjithë. Ai ekziston ende, në jetën reale dhe në politikë, dhe është kryeministër i Shqipërisë londineze.

Edi është pra, ai tipi i gjatë, me kollare të larme, i cili në kohën e krizës më të madhe turke, para grushtshtetit të tentuar, apo të shpifur ushtarak, po rrinte ulur në ulësen prapa, ku sipas rregullit ulej presidenti turk, ndërkohë që vet presidenti po e ngiste makinën presidenciale. Gojëkëqinjët thonë se presidenti turk nga respekti u bë shoferi i Edi Ramës në turin e tyre nëpër Stamboll. Disa tjerë thanë se ai kishte frikë nga ndonjë atentat, pas ngjarjeve në aeroport, prandaj e ndërroi vendin me Edin, por krejt këto mbetën vetëm spekulime.

Kështu Edi, vëllau i Erdoanit, miku i Vuçiçit, edhe dosti i Hashimit, gjithsesi u imponua si personalitet të cilin politika evropiane , kryesisht nën ndikimin gjerman, po duan të e fusin në lojë si “Joker”, e besa edhe si lider rajonal, për të lëvizur nga vendi marrëdhëniet e ngrira dhe të çimentuara në Ballkan. Dikur Serbia ishte faktorë integrues ndër sllavët e jugut dhe ndërtoi dy shtete të tyre, por tash, si pasojë luftërave me të gjithë dhe projektit të Serbisë së Madhe që do të zëvendësonte Jugosllavinë, ajo u armiqësua me të gjithë sllavët e jugut, aq sa nuk komunikon më normalisht me ta. Edi, i pa preokupuar me historinë, interesat, pronat , ka ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë. U faktorizua.

Tash kur e filluam me kollaren e larme, duhet përmendur për hir të korrektësisë se Edi dinte të dalë i veshur edhe pa kollare, edhe pa setër, madje edhe pa të tjerat. Edi është socialist, por mund edhe të fotografohet lakuriq, pra pa ideologji. Edi, jo konvencional si vet ai. Në politikën Ballkanike, nuk ka edhe një tjetër si ai, që duke mos qenë i preokupuar me folk-un, është i vetmi i cili mund të ndërmjetësojë me të gjithë.

Pra, Edi i gjatë, pak më i gjatë se Hashimi, e më pak më i shkurtër se Vuçiçi, duke kapur mesin kështu, i bëri gati valigjet për një udhëtim njëjavorë në Serbi, në një samit sigurie, serbo-shqiptar, që po mbahet te “Molla e Kuqe” . Nejse përpos sigurisë kishte edhe biznesmen të cilët shikuan mundësitë që marrëdhëniet ekonomike Serbi-Shqipëri të hapen, të lulëzojnë dhe të përfundojnë autostradën e kombit prej Nishi deri në Durrës.

Ndërkohë, atje, nuk do të ishte korrekte të mos thuhet , se Edi veç sa nuk fle me mediat. E përcjellin kudo. Në Beograd po e shpërndanë edhe librin e tij “Kurbani”, në takimet me shoqërinë civile edhe intelektualë të pavarur, të cilët po presin me durim në radhë për të marrë kopjen e nënshkruar. Diku shet pikturat, diku falë librat, Edi ynë, artisti në politikë, apo politikani në art…sido që të jetë nuk e kalon dot as rrugën pa rënë në sy.

Në Kosovë, disa u zemëruan nga deklaratat e pamatura, të shprehura në ekstazë dashurie ndaj kulturës, artit, e mbase edhe politikës nacionaliste serbe, si thonë ata. Kështu, këtu e tutje ata rekomandojnë që në dasmat tona të këndohet vetëm versioni i reduktuar i këngës së famshme. E keni parasysh atë këngën për Rugovën, Kosovën dhe refrenin e sajë “Dej te Molla e Kuqe kufini i Kosovës”.

Por Edi është modern, nuk dëgjon këngë folk. Mund edhe të mos i bëjë fare përshtypje. Shqiptarët dhe serbët, i duken si gjermanët dhe francezët dikur. Kush e di, kush është kush në këtë storie?

Serbët kanë dëshirë të hiqen si francez, por kjo nuk i bënë përshtypje. Me rëndësi është Ballkani euro-atlantik! Ndoshta ai nuk do as që qëllimi, mjetet, dhe arsyetimi të përdoren në të njëjtën fjali…! Po e reformon Makiavelin, Edi!

Komentet