E çuditshme: Në Zajaz është rritur numri i votuesve për 2 mijë nga Zgjedhjet e fundit

zajazz.png

Gjatë pastrimit të fundit të listës së votuesve ku 30 mijë votues kryesisht shqiptarë u fshinë, një numër i madh prej tyre me pretekstin se ndodhen jashtë vendit dhe nuk kanë ripërtërirë dokumentet, më së shumti pësuan vendbanimet shqiptare, raporton SHENJA.

Sipas listës përfundimtare të votuesve ky operacion ka rezultuar në zvogëlimin e numrit të votuesve në disa komuna shqiptare, ndërsa tek disa ka shënuar një rritje të lehtë. Por, në ish komunat e Zajazit dhe Osllomesë, ku njëherit është edhe numri më i madh i mërgimtarëve të shpërngulur në SHBA dhe shumë të tjerë në vendet e Evropës, është paraqitur një fenomen i çuditshëm. Sipas një tabele të KSHZ-së, në vendbanimet e Kërçovës që i takojnë njësisë së gjashtë zgjedhore, e që përfshinë fshatrat e ish komunave të Zajazit dhe Osllomesë numri i votuesve është rritur në mënyrë drastike, për 11 për qind, apo rreth 2000 votues më tepër. Sipas të dhënave të KSHZ-së, në vitin 2014 në këto vendbanime ka pasur 17172 votues, ndërsa këtë vit ka 19068 votues. Kjo rritje jo vetëm që nuk është në proporcion me komunat dhe vendbanimet e tjera shqiptare, por në mënyrë të çuditshme dallon edhe nga trendet e deritanishme në këto dy ish komuna në 7 vitet e fundit kur deri më tani janë rregjistruar ulje drastike ose ngritje simbolike të numrit të votuesve. Në zgjedhjet lokale të vitit 2009 në Zajas dhe Osllomej ka pasur 18206 votues, ndërsa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2011 kanë qenë të rregjistruar 18617 apo vetëm 411 votues më shumë. Pas këtyre zgjedhjeve, deri në zgjedhjet e vitit 2014, numri i votuesve ka rënë në 17172 apo -1445 votues më pak brenda tre viteve. Ndërkaq në dy vitet e fundit në po të njëjtat fshatra të ish komunave Zajas dhe Osllomej paraqitet fenomeni krejtësisht i kundërt, ku për dy vite numri i votuesve rritet për 1896 më tepër apo 11% dhe në listën e këtij viti në dy ish komunat e Kërçovës që gravitojnë në njësinë e 6 zgjedhore janë të regjistruar gjithsej 19068 votues. Komuna e dytë shqiptare që më së shumti ka shënuar rritje, por që është më pak se në fshatrat e Kërçovës është Komuna e Dibrës, ku numri i votuesve është rritur për 1211 edhe atë 718 në pjesën që i takon njësisë së 6 zgjedhore dhe 493 në pjesën që i bie në njësinë e 5. Bashkërisht e gjithë Dibra ka rritje të numrit të votuesve për rreth 7 për qind. Ndërkaq krahasuar me komunat e tjetra numri i rritur i votuesve në fshatrat e Kërçovës është dukshëm më i lartë edhe se në disa komuna dhe qytete të mëdha me numër disa herë më të madh se Kërçova. Kështu në Tetovë, numri i votuesve është rritur për 754 apo vetëm 1 për qind, ku duket qartë se as numri e as përqindja e votuesve nuk është e përafërt. Në Komunën e Bogovinës, komunë e pastër me shqiptarë, me numër më të madh të votuesve dhe me numër më të vogël të mërgimtarëve sesa fshatrat e Kërçovës, numri është rritur për 754 votues apo 3% më shumë. Në listën e KSHZ-së ekzistojnë edhe ekstreme të kundërta me atë të ish komunave të Zajazit dhe Osllomesë. Në komunën e Çairit që dominohet nga shqiptarët numri i votuesve madje është ulur për 2219 edhe atë -1537 apo -4.7% në pjesën që graviton në njësinë e parë zgjedhore dhe -682 votues apo -2.9% më pak në pjesën e Çairit që bie në njësinë e dytë zgjedhore. Ulje të numrit të votuesve për 118 më pak krahasuar me vitin 2014 ka edhe në komunën e Sarajit e cila në total ka rreth 10 mijë votues më shumë se ish komunat Zajas dhe Osllomej. Në vendbanimet e tjera të cilat kanë numër më të madh se këto dy ish komuna ka përqindje simbolike të numrit të votuesve.

Arben Zeqiri /SHENJA/

Komentet