Dybala: Juventus në të njëjtin nivel me Barcelonën dhe Real Madridin

dybalaa-650x358.png

Lideri i Serie A, Juventus do të presë sot në shtëpi Porto-n në kuadër të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve. Ylli i bardhezinjve, Paulo Dybala beson se skuadra e tij është në të njëjtin nivel me gjigantët e Europës: Barcelona, Real Madrid dhe Bayern Munich. “Zonja e Vjetër” ka fituar 2-0 në ndeshjen e vajtjes në Oporto dhe është një hap larg kualifikimit në çerekfinale të kompeticionit madhor europian, ndërkohë që vijon rrugën drejt tre trofeve sezonalë.

Sulmuesi argjentinas këmbëngul se Juventus meriton të jetë në krahë të skuadrave të mëdha si Barcelona dhe Real Madrid.

“Që kur Champions League ka nisur ne kemi qenë në të njëjtin nivel me Barcelona-n, Real Madrid-in dhe Bayern Munich-ut. Ne jemi në krye të Serie A dhe kemi fituar ndeshjen e parë të Kupës së Italisë (në gjysmëfinalen ndaj Napoli-t). Madje në disa aspekte ne po bëjmë më mirë se ata”, u shpreh Dybala në konferencën e shtypit në vigjilje të sfidës me nënkampionët e Portugalisë.

Sulmuesi 23-vjeçar ka fituar tre trofe që kur iu bashkua Juventus-it – titullin e Serie A (2015-2016), Kupën e Italisë në sezonin e kaluar dhe Superkupën e Italisë (2015).

Ndërkohë ndërkombëtari argjentinas ka shënuar vetëm një gol në Champions League këtë sezon ndërsa thekson se ëndrra e tij është pikërisht ky trofe. “Do të ishte një çmenduri të fitoja Champions League-n në moshën time, sepse u bëra pjesë e Juventus-it vetëm dy vjet më parë. Disa nga shokët e mi të skuadrës e kanë fituar dhe do të doja të isha vendimtar në ndeshjet e Ligës së Kampioneve”, përfundoi Dybala. Argjentinasi mbërriti te klubi nga Torino në qershor 2015 pas një eksperience tre vjeçare me Palermo-n.

Komentet
Top