DASH: Shqipëria prodhon e trafikon drogë, pastron para e sundon korrupsioni

0-150.jpg

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar sot raportin për trafikun e lëndëve narkotike e pastrimit të parave.

Në raportin e DASH, shifrat janë të frikshme. Mbi 2 milion e 450 mijë bimë kanabis mendohet se janë asgjësuar nga policia, ndërsa nga vëzhgimi me avionë janë zbuluar mbi 2 mijë plantacione të mbjella me kanabis. Sasia e heroinës së kapur në Shqipëri arrin mbi 57 kilogram, ndërsa kokainë pak më shumë se 7 kilogramë.

Ndërkohë në raportin për pastrimin e parave Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur se Shqipëria është vend ku pastrohen lehtësisht paratë e drogës dhe ku sundon korrupsioni i shfrenuar. Raporti i institucionit thekson se Shqipëria është “një vend tranziti për trafikimin e narkotikëve, armëve, mallrave kontrabandë dhe qenieve njerëzore dhe mbetet në rrezik për pastrimin e parave”.

Burimet më të mëdha të të ardhurave të paligjshme janë trafiqet, korrupsioni i zyrtarëve dhe mashtrimi, thuhet në raport. Krimi shpesh investon paratë e pista në prona të patundshme dhe në projekte për zhvillimin e biznesit, thuhet më tej në raport. Sipas zyrtarëve amerikanë, në Shqipëri ka një treg të madh të zi për mallra të tilla, si duhani, bizhuteritë dhe telefonat celularë, si pasojë e nivelit të lartë të importimit të mallrave të konsumit dhe kontrolleve të dobëta doganore.

Madje, “grupe të organizuara kriminale e përdorin Shqipërinë si një bazë operacionale për ndërmarrjen e veprimtarive kriminale në vende të tjera e shpesh ato i sjellin fitimet e tyre të paligjshme në Shqipëri. Paratë e fituara nga këto veprimtari shpëlahen lehtësisht në Shqipëri pasi aty kryesisht sundon ende një ekonomi e bazuar në para’ në dorë dhe hyrja e parave nga jashtë në formën e prurjeve valutore të emigrantëve janë të zakonshme”. Po kështu, DASH flet edhe për korrupsionin në qeveri e institucione të tjera.

Komentet
Top