CIA paralajmëron Trumpin

0-247.jpg

Ndërsa Donald Trump nuk ka nisur zyrtarisht punën si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai po këshillohet mbi politikat që duhet të ndjekë, pasi shpeshherë retorikat e manjatit të pasurive të patundshme kanë ngjallur jo pak polemika.

Këtë herë është drejtori i CIA-s, ai që ka paralajmëruar presidentin e zgjedhur Trump se, duke i dhënë fund marrëveshjes bërthamore të Iranit do të ishte “katastrofike” dhe njëherësh “kulmi i marrëzisë”.

Në një intervistë ekskluzive për BBC, John Brennan këshilloi gjithashtu miliarderin të jetë i kujdesshëm për premtimet që i bën Rusisë, duke fajësuar Moskën për situatën çnjerëzore që rëndon mbi Sirinë.

Administrata e presidentit Barack Obama ka ndjekur një politikë, e cila mbështeste forcat që luftojnë regjimin e Assadit në Siri. Gjatë fushatës, republikani ka kërcënuar se do të bllokojë marrëveshjen me Iranin dhe gjithashtu ka lënë të kuptohet se Putin do të jetë aleati i tij, ndryshe nga kursi që Uashingtoni ka ndjekur deri më sot gjatë presidencës “Obama”.

Komentet, Brennan i bën në fund të mandatit të tij në krye të Agjencisë së Inteligjencës. Trump ka bërë përzgjedhjen e tij zëvendësuese. Mike Pompeo, përfaqesues i Kansasit, do të jetë në krye të CIA-s.

Por John Brennan hodhi dritë edhe për një tjetër çështje me rëndësi. Ajo e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, për të cilën drejtori i CIA-s konfirmoi se “hacker”-a rusë kishin tentuar të kryenin aktivitete të tilla, por ai dhe stafi i tij i kishin paralajmëruar ata se çfarë pasojash do të kishin veprime të tilla të jashtëligjshme.

Komentet