Çdo “Reis Ulema” nuk është trashëgimtar i profetëve

12939482_10206252682340766_758915269_n-1.jpg

“…kur intereset e fesë i shet për interese personale, i dhurohet politikës vetëm të mos shpalosin veprën e fshehur idioteske të spiunimit, kur korrupcioni është trend dhe jo dukuri negative, kur përgjimi dhe inçizimi i bisedave të nëpunësave të institucionit nuk është në kundërshtim me parimet islame, kur mirënjohjet e shoqatave paraqiten si dekorata të kombit, kur kriminalitetin dhe falsifikimet që i ka në gjak i prezanton shpifje ndaj tij, kur Sadakan, zeqatin, të ardhurat nga ibadetet dhe adhurimet fetare i llogarit hallall për xhepin, kur donacionet që u dedikohen muslimanëve të varfër i konsideron hedije për familjen, kur konvikti i shkollës fetare që mirëmbahet me fitra e zeqat shndërrohet në objekt stërvitjesh për sportist (Xhudistësh), kur muslimanët i fyen dhe jomuslimanët i bekon vetëm për të qenë mirë me pushtetin,…”

Nga: Abaz Islami

Misionin tim tani po e konsideroj dydimensional, pos atij si teolog që të përcjellim atë çfarë marrim nga mesazhet Hyjnore të Krijuesit, Allahut Fuqiplotë në drejtim të edukimit, ngritjes dhe ripërtërirjes së mësimeve islame, dhe misionin e dytë iniciativa NISMA për të bërë reforma në Bashkësinë Fetare Islame. Meqë bota Islame po përkujton në këtë muaj lindjen e Muhamedit a.s. dhe jetën e tij madhështore gjithsesi e paharruar është vepra e bekuar dhe madhështore e tij, andaj medoemos duhet të reflekton në shoqërinë muslimane. Emri dhe misioni i Muhamedit a.s më përkujtuan një sentencë (Hadith) të tij ku kishte thënë: “Ulemaja (dijetarët, prijësit fetar) janë trashëgimtarë të të dërguarve të Zotit (Pejgamberëve)”. Një fjalë shumë e madhe, shumë e gjallë dhe përplot urtësi iu përcoll njerëzimit, në veçanti atyre që kanë marrë përsipër misionin për të këshilluar dhe thirrur njerëz në rrugën e vërtetë dhe të pastërt Islame. Veprimtaria e tij si i dërguar i Zotit ishte përplot vështirësi dhe sakrifica dhe meqë ‘misioni’ ishte i shenjtë, andaj nuk u largua nga ajo që kishte marrur përsipër. I thirrur në mësimet Hyjnore njoftoi njerëzimin se nuk do të ketë të dërguar tjetër të Zotit pas tij duke e plotësuar atë përmes thënieve të tija sqaruese se Ulematë (dijetarët, shkenctarët, prijësit fetar) do të jenë trashëgimtarët e të dërguarve, gjithashtu se në çdo një shekull do të vjen nga një reformator i madh i shquar që do të ripërtërijë vlerat dhe mendimin islam. Nisur nga këto dhe shumë fakte të tjera të panumërta dhe ajo që kemi hasur në letrat e shkruara të dijetarëve të mëdhej të botës islame për jetën dhe veprën e Muhamedit a.s më bëri përshtypje se çdo dijetar islam, Reis Ulema, prijës fetare apo lider islam nuk mund të jetë trashëgimtar i pejgamberëve, në veçanti kur e kemi fjalën për më të ngriturin, Muhamedin a.s. Konstatim ky që tregon qartë se misionin e tij Muhamedi a.s e realizoi ndryshe përdallim nga disa prijës fetar ose “Ulema”, andaj edhe mund të paramendoni sa kapitale është titulli “Reis Ulema”?! Ky titull është i gjërë dhe ka të bëjë plotësisht me atë që kishte përfshirë Muhamedi a.s në thënien e tij shekuj më parë. Mund të logjikoni se Muhamedi a.s misionin e filloi me shumë vështirësi saqë përjetoi çdo lloj presioni vetëm e vetëm të largohet nga ajo që bënte, mirëpo për dallim nga ai, dijetarët dhe prijësit fetarë të përcaktuar për kryerjen e misionit të tyre po ecin me rrugë të hapura, pa vështirësi dhe me plot agallëk. Pejgmaberi a.s është dashur që të ndryshon konceptin e besimit (bindjes), mentalitetit dhe zakoneve të vjetëra te shoqëria ku jetonte që më pastaj dalëngadalë të fton edhe popuj tjerë në Islam në formën më të ndershme, në anën tjetër disa prijës fetar jo më larg por as tek rrethi më i ngusht nuk kanë ndikim në jetsimin burimor të Islamit. Ai, Muhamedi a.s veprimtarinë e tij të shenjtë e filloi me shumë pengesa, bojkote dhe sabotazhe, ndërsa tani disa prijës fetar e “ Ulema” në veprimtarinë e tyre nuk kanë hasur në asnjë therrë pos atyre lodhjeve dhe vështirësive që kanë treguar gjatë hajnis dhe pasurimit të pa ndershëm të tyre. Punën dhe angazhimet i paraqesin aq të vështira përmes maskimit të rrejshëm sa që na dalin se kanë sakrifikuar më tepër bile se edhe vetë Muhamedi a.s. Në fakt Muhamedi a.s filloi i fyer, vazhdoi misionin me shumë mund që në fund të gjithë të e ndjejnë dhimbshëm largimin e tij nga kjo botë, bile për disa ishte jologjike dhe e pabesueshme ndarja e tij nga ata që bashkëjetuan. Misioni i një prijësit fetar aktual në vend që t’i ngjajë atij të Muhamedit a.s., fatkeqësisht sëkëlldin më të madhe e ka si të shpëton nga publikimi i skandaleve të turpshme. Çfarë trashëgimtari i Profetëve mund të jetë ai prijës fetar apo Ulema që veprimaria e tij numron milion skandale dhe pisllëqe? Çfarë trashëgimtari i Profetëve mund të jetë ai prijës fetar apo dijetar islam që shanë hoxhallarë, gënjen, mashtron, manipulon, keqpërdor pozitën, tradhëton muslimanët? Pikënisja është mashtrimi më i madh që len të kuptosh se vazhdimësia nuk mund të jetë ndryshe, meqë edhe postet udhëheqëse i mbajn përmes mashtrimeve bërë institucioneve vendore dhe shumë normale është të gënjyerit e personaliteteve dhe institucioneve me relevancë ndërkombëtare. “Mashtruesi nuk është prej nesh(muslimanëve)”, thoshte gjithashtu Muhamedi a.s.! Pyetja esenciale është se:“ Ulemat”, dijetarët islam që vepra e tyre është larg nga ajo e trashëgimtarit të profetëve atëherë si do të ndahen nga kjo botë me njerëzit, largimi i tyre sa do t’i ngjet largimit të profetit nga kjo botë? Është jologjike dhe joislame që një prijës fetar trashëgimtar i Muhamedit a.s të jetë i përfshirë në vepra joislame dhe në kundërshtim me mësimet hyjnore. Kur prijësi fetar, Reis Ulemaja, dijetarët islam thirret në Kuran e Sunet dhe nuk i respekton, kur menaxhimin e institucionit e bënë sipas qejfeve dhe dëshirave individuale dhe familjare, kur intereset e fesë i shet për interese personale, i dhurohet politikës vetëm të mos shpalosin veprën e fshehur idioteske të spiunimit, kur korrupcioni është trend dhe jo dukuri negative, kur përgjimi dhe inçizimi i bisedave të nëpunësave të institucionit nuk është në kundërshtim me parimet islame, kur mirënjohjet e shoqatave paraqiten si dekorata të kombit, kur kriminalitetin dhe falsifikimet që i ka në gjak i prezanton shpifje ndaj tij, kur Sadakan, zeqatin, të ardhurat nga ibadetet dhe adhurimet fetare i llogarit hallall për xhepin, kur donacionet që u dedikohen muslimanëve të varfër i konsideron hedije për familjen, kur konvikti i shkollës fetare që mirëmbahet me fitra e zeqat shndërrohet në objekt stërvitjesh për sportist (Xhudistësh), kur muslimanët i fyen dhe jomuslimanët i bekon vetëm për të qenë mirë me pushtetin, kur vakufin e konsideron burim të pashtershëm për t’i bërë nipërit të pasur, kur shkel fjalën dhe nuk respekton besën e dhënë, kur pronën e muslimanëve e ka bërë pronë private e familjare, kur edhe të posalindurve u siguron jetë luksoze, kur hajnia është gjenetike atëherë është shumë normale që të grabiten edhe parcellat e varrezave, andaj këto dhe shumë të tjera të papërmendura rezultojnë me një konkluzion me bazament fortifikate të pa rrënuar se ky mision nuk ka lidhje me trashëgimtarin e Pejgamberëve.
 

Komentet

Leave a Reply

Top