Çad, fëmijët vdesin nga mungesa e ujit të pastër

thumbs_b_c_9ffadb6f11cc40a414946c8db2b5afce.jpg

Nëntëmbëdhjetë mijë fëmijë në Çad humbin jetën çdo vit si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga uji i ndotur, raporton Anadolu Agency (AA).

Celestin Traore, zyrtar i përfaqësisë së Fondit Humanitar për Fëmijët pranë Kombeve të Bashkuara (UNICEF) për Çadin, për AA tha se shumë fëmijë në Çad humbin jetën si pasojë e sëmundjeve nga uji i papastër.

Duke njoftuar se një në çdo pesë fëmijë vuan nga diarreja, Traore thotë se “Çdo vit sëmuren 50 mijë fëmijë për shkak të mungesës së ujit të pastër, teksa 19 mijë prej këtyre humbin jetën.”

Traore po ashtu vë në dukje se zyrtarët qeveritarë punojnë intensivisht për t’i plotësuar nevojat për ujë të pastër, megjithatë, siç thotë ai, kjo nuk ka ndihmuar në zvogëlimin e numrit të fëmijëve të sëmurë.

Trajtimi është i kushtueshëm

Dr. Ahmed Mustafa, kryetar i Qendrës për Parandalimin e Epidemive të Mëdha, njofton se këto sëmundje përhapen më shpejt në rajonet e pazhvilluara të vendit, siç janë Pellgu i Liqenit të Çadit, Kanem, Salamat dhe Logone Oriental, duke shtuar se numri i rasteve në këto rajone është më i lartë në krahasim me rajonet e tjera.

Mustafa tha se fëmijët humbin jetën për shkak të pamundësisë për t’u trajtuar. Sipas tij, qeveria çdo vit ka nevojë për 25 milionë dollarë për t’i trajtuar këto fëmijë.

Nga ana tjetër, Mustafa tërheq vëmendjen se trajtimi i të sëmurëve kushton më shumë sesa të shpërndahet ujë në rajonet që kanë nevojë.

Çadianët ecin me kilometra për të siguruar ujë të pastër

Ali Taher, ishi-ministër i Blegtorisë i Çadit, ka shpjeguar se ata që më së shumti luftojnë me mungesën e ujit në vend janë gratë dhe fëmijët.

Ndërkaq, ministri i Ujit, Siddik Abdulkerim Haggar, ka thënë se shkalla e qasjes në ujë për vitin 2015 ka qenë 42 për qind, teksa kjo përqindje është rritur në 46 në vitin 2017.

Haggar ka bërë të ditur se në pesë vitet e ardhshme synojnë që këtë shkallë ta rrisin në 60 për qind në zonat rurale dhe në 70 për qind në zonat urbane.

Në ndërkohë, Cimasra Emmanuel Oci, kryetar i organizatës joqeveritare “Ujë për Çadin”, është shprehur se çadianët në zonat rurale ngelin të detyruar të ecin nga shtatë deri në dhjetë kilometra për të siguruar ujë të pastër.

Gjithashtu, kryetari i Partisë Socialiste Pa Kufi në opozitë, Dinamu Daram, ka shprehur kritikat e tij në lidhje me gjendjen, duke thënë se “Ndërsa në Çad nuk plotësohen nevojat për ujë të pastër, në shtetet fqinje harxhohen miliona dollarë për luftën kundër terrorizmit.

Komentet
Top