Berlusconi i Amerikës

0-250.jpg

Gjatë disa javëve të fundit bota ka çarë kokën se si do të sillet në detyrë presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump dhe cilat do të jenë politikat që do t’i ndjekë, pas një fushate të gjatë përplot deklarata kundërthënëse. Presidentët e mëhershëm afaristë të Amerikës – Warren G. Harding dhe Herbert Hoover – kanë qenë të pranishëm bukur shumë kohë më parë dhe tani nuk është se mund të ofrojnë ndonjë farë udhëzimi. Por tani, sidoqoftë, ekziston një precedent i tillë evropian: Silvio Berlusconi i Italisë.

Atë që Trumpi e ka arritur, Berlusconi e ka paraprirë. Njësoj sikurse Trumpi, edhe Berlusconi është afarist që ka krijuar pasurinë e tij me patundshmëri. Kur hyri në politikë më 1994, ai ishte një autsajder, edhe pse, njësoj sikurse Trumpi, ka qenë për një kohë të gjatë goxha i afërt me insajderët.

Ngjashmëritë nuk përfundojnë me kaq. Si Trumpi ashtu edhe Berlusconi janë goxha ngushtë të familjarizuar me njerëzit e qarkut të ngushtë të skenës; Trumpi ka ecur bukur shpejt, që prej zgjedhjes së tij, për të zgjidhur paditë e ngritura për mashtrim ndaj Universitetit Trump, por ka edhe rreth 70 padi të tjera të ngritura kundër tij dhe bizneseve të tij. Dhe që të dy kanë një mori konfliktesh interesi për sa u përket rolit të tyre në krye të qeverisë, duke iu falënderuar perandorive masive afariste.

Berlusconi, si edhe Trumpi, ia ka dalë ta paraqesë veten si një burrë i pasur dhe populist. Ka preferuar të komunikojë drejtpërsëdrejti me popullin, duke i anashkaluar mediat tradicionale dhe strukturat partiake. Dobësia e tij ndaj femrave të bukura dhe shtëpive luksoze disi ka rritur pëlqimin e tij nga populli.

Krahasimi ndërmjet Trumpit dhe Berlusconit nuk është vetëm sipërfaqësor. Në fakt, përvoja e Italisë me Berlusconin – apo “il cavaliere”, siç përndryshe njihet në vendin e tij – u ofron amerikanëve dhe botës mbarë gjashtë mësime të qarta rreth asaj se çfarë mund të pritet nga Trumpi.

E para, askush nuk duhet ta nënvlerësojë presidentin e ardhshëm amerikan. Qysh tani Trumpi i ka tejkaluar pritjet; të paktë ishin ata që prisnin se ai do të fitonte madje në garën partiake republikane. Megjithatë, shumë vëzhgues vazhdojnë të parashikojnë rënien e shpejtë të tij, duke supozuar se ai do të qëndrojë vetëm katër vjet në Shtëpinë e Bardhë, në rast se nuk shkarkohet edhe më herët.

Përvoja e Berlusconit flet për një tjetër lloj rrëfimi. Edhe Berlusconi vazhdimisht ishte nënvlerësuar nga kundërshtarët e tij. Komentuesit e cilësonin si tepër të paditur dhe të papërvojë për të mbijetuar si kryeministër, me të supozuar se nuk do të arrijë t’i mbijetojë goditjet e jetës politike apo presionin e qeverisë. Megjithatë, Berlusconi mbetet një prej personave më të rëndësishëm të skenës politike italiane. Gjatë 22 vjetëve të fundit ai ka fituar tri palë zgjedhje të përgjithshme dhe ka shërbyer si kryeministër për nëntë vjet. Secilën herë gazetarët apo intelektualët janë përpjekur ta nxitin atë në debat politik, por të humbur dolën ata. Kritikët e Trumpit – në të vërtetë të gjithë vëzhguesit amerikanë – duhet ta kenë parasysh këtë fakt.

Mësimi i dytë është se Trumpi, sipas të gjitha gjasave, do t’i qepet pas një fushate të përhershme politike, duke e injektuar veten drejtpërsëdrejti në bisedime. Berlusconi shpesh ka përdorur televizionin, sidomos kanalet komerciale që vetë i posedonte, për këtë qëllim. Në vend se të jepte intervista që nuk mund t’i kontrollonte, Berlusconi shpesh u përgjigjej gazetarëve të tij të favorizuar apo thjesht u fliste direkt kamerave. Shumë emisione politike janë ndërprerë pas telefonatave të kryeministrit që kërkonte të ketë të drejtën e tij të fjalës.

Për sa i përket Trumpit mund të presim jo vetëm një bombardim të vazhdueshëm postimesh në “Twitter”, por edhe përdorimin e televizionit, përfshirë emisionet e debateve, dhe kanaleve të tjera për të komunikuar drejtpërsëdrejti me popullin. Vendimi i Trumpit për të publikuar në “YouTube” një video-xhirim prej dy orësh e gjysmë për të shpalosur prioritetet e tij, në vend se të mbajë një konferencë për shtyp, e përforcon këtë supozim. Edhe pse afrimi i tij nuk dukej aq presidencial, ai ka pasur sukses, të paktën kur bëhet nga një tregtar mjeshtëror që luan shpejt dhe humb me fakte.

Mësimi i tretë nga suksesi i Berlusconit është ai se edhe një person i pasur dhe i fuqishëm mund ta zotërojë rolin e viktimës me shumë efikasitet. Në të vërtetë, edhe gjatë kohës sa ishte në detyrë, Berlusconi pretendonte vazhdimisht se po sulmohej nga gjyqësori, nga një afarist rival nga “komunistët”, nga establishmenti politik. Kur të përballet me situata të ngjashme, prisni që edhe Trumpi ta bëjë të njëjtën. Pa marrë parasysh nëse është një miliarder, i lindur në një familje të pasur, ose se në zgjedhjet e ardhshme do të dalë si mbajtës aktual i detyrës. Ai vazhdimisht do ta portretizojë veten si një person i rrethuar me armiq që i shërbejnë vetes.

Mësimi i katërt është se do të ketë goxha shumë sharje. Berlusconi i ka përdorur kanalet e tij televizive dhe gazetat për të njollosur, me plot kuptimin e fjalës, kundërshtarët e tij dhe këtë e ka bërë aq shpesh saqë shkrimtari Roberto Saviano i ka quajtur këto mediume si “macchina del tango” apo “makina të përbaltjes” të tij.

Sulmet e Trumpit ndaj mediave, të shpërfaqura më së shpeshti nëpërmjet “Twitterit”, janë një shenjë paralajmëruese e kësaj, siç janë edhe zotimet e tij gjatë fushatës për të “hapur” ligjet e shpifjeve. Shefi i përbaltjeve të tij pritet të jetë kryestrategu i porsaemëruar Stephen Bannon, dikur shef i mediumit ultradjathtist “Breitbart News”.

Mësimi i pestë është se Trumpi sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë ta çmojë lojalitetin më shumë se gjithçka tjetër në administratën e tij, njësoj siç ka bërë edhe Berlusconi. Trumpi tanimë i ka bërë tre fëmijët më të mëdhenj të tij – të cilët duhet ta drejtojnë biznesin e tij gjatë kohës sa ai është president – aktorë kryesorë në fushatën dhe transicionin e tij.

Ligjet federale mund t’ia ndalojnë Trumpit t’i emërojë fëmijët e tij në postet qeveritare, por ata sigurisht se do të mbesin në epiqendër të vendimmarrjes së tij. E bija e tij Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner tanimë kanë marrë pjesë në takimin e Trumpit me shefin e parë të një shteti, kryeministrin japonez Shinzo Abe. Edhe emërimet e Trumpit që nuk ndërlidhen me familjen – që të shpeshtën janë figura kundërthënëse dhe radikale që nuk do të kishin vend në asnjë administratë tjetër përpos atë të Trumpit – reflektojnë vlerësimin e tij për lojalitet personal.

Mësimi i fundit i dalë prej Berlusconit është se shprehjet e admirimit për burrështetas si presidenti rus Vladimir Putin duhet të merren seriozisht. Narcizoidët si Berlusconi dhe Trumpi janë mësuar t’i bëjnë ujditë vetë dhe preferojnë të kenë si bashkëbisedues burrështetas të tjerë të fortë. Vizitat më të parapëlqyera të Berlusconit jashtë vendit ishin ato në pushimoren e Putinit dhe në tendën e ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi, dhe jo takimet e mërzitshme të Këshillit Evropian apo samitet e G20-s.

Në fund të fundit, megjithatë ekziston një dallim i madh ndërmjet Silvio Berlusconit dhe Donald Trumpit. Berlusconi nuk e kishte ndonjë agjendë reale derisa ishte në detyrë, përveç asaj për ta rritur edhe më shumë biznesin dhe interesat e tij personale, si dhe ta ushqejë pushtetin e tyre me të siguruar burime dhe favore nga mbështetësit. Dëmi më i madh që ai u shkaktoi italianëve ishte mosveprimi i tij përballë ngecjes ekonomike, por të paktën nuk i bëri gjërat të duken edhe më keq. Për dallim prej tij, Trumpi e ka një agjendë, sado e zorshme për t’u kuptuar që të jetë. Nëse do t’i bëj gjërat më keq apo më mirë, kjo ende mbetet për t’u parë.

Nga Bill Emmott, ish-kryeredaktor i revistës “The Economist”

Komentet