Analistët skeptik për zgjidhjen e krizës së stërzgjatur

Xhelal-Neziri_0.jpg

Liderët e partive politike që kanë shumicën parlamentare duhet të ndjekin me vëmendje porositë e faktorit ndërkombëtar dhe të kenë qasje më të guximshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të formuar Qeverinë. Kështu vlerësojnë analistët politik Xhelal Neziri dhe Petar Arsovski. Analisti Neziri madje thotë se në demokraci zbatohet vullneti i shumicës, në këtë rast shumica është shumë e qartë në Parlament. Sipas tij nëse ka ndonjë qasje më të guximshme nga liderët e partive që sigurojnë shumicën parlamentare nuk do ketë nevojë për ndërhyrje të sërishme të faktorit ndërkombëtar.

“Ajo që është më me rëndësi është se faktori ndërkombëtar tanimë ka dhënë sinjalet, ua ka bërë të qartë liderëve që përbëjnë shumicën parlamentare se në rast se formohen institucionet, parlamenti, qeveria, të njëjtat do të jenë të pranuara dhe do të kenë përkrahjen e faktorit ndërkombëtar dhe kjo është një garancë që të njëjtat do të mund të marrin nën kontroll institucionet dhe ta zbatojnë ligjin dhe kushtetutën e Maqedonisë”, tha analisti politik Xhelal Neziri.

Sipas analistit Petar Arsovski, mungesa e vendimit që të veprohet në zhbllokim agresiv të krizës duke marrë karrigen e Veljanovskit dhe formimin e shumicës parlamentare pa mandatin e Ivanovit, por edhe me mosveprimet konkrete të faktorit ndërkombëtar, kriza do të zvarritet edhe më tepër.

“Këto tre faktorë të cilët do të mund ta shpejtonin ç’bllokimin e këtij procesi tani është në status kuo. Kështu që mendoj na pret zvarritje edhe pse u dëshmua që në Republikën e Maqedonisë të gjitha supozimet janë të mundshme, kështu që mund të ndodhë diçka brenda natës, por më shumë besoj drejt asaj që nuk do të kemi zgjidhje të shpejtë të kësaj situate”, tha analisti politik Petar Arsovski.
Analisti Petar Arsovski thotë se faktori ndërkombëtar përveç retorikës së ashpër për zvarritjen e krizës, duhet të marrë hapa konkret me sanksione si bllokim të llogarive, ndalesa, shpallje të personave nongrata, raporte negative për Maqedoninë por edhe sanksione të tjera.

Komentet
Top