Analistët: Qendrimet e Ahmetit, të pandërgjegjshme

ali-ahmeti-copy.jpg

Deklaratat e kreut të BDI-së Ali Ahmeti se nuk sheh dalje nga kriza politike ekspertët i vlerësojnë si papërgjegjësi. Qëndrimet e Ahmetit sipas tyre korrespondojnë me mos seriozitetin dhe pesimizmin e BDI-së ndaj zgjidhjes së mundshme të krizës së thellë politike. Profesori Mersim Maksuti konsideron se shumica e re parlamentare në vend të deklaratave pesimiste e ka për detyrë të ndërmerr hapa konkret për formimin e institucioneve.

Është tejet brengosëse për arsye se kjo maxhorancë politike tashmë e cila ka 67 deputet nuk është në gjendje të demonstrojë aftësi politike për formimin e institucioneve, konstituimin e parlamentit dhe formimin e qeverisë. Këtë e kanë detyrim kushtetues nga se shumica e qytetarëve u deklaruan për ndryshimin e regjimit. Në të njëjtën kohë kjo paraqet edhe kërcënim të drejtpërdrejtë jo vetëm të demokracisë por edhe të së drejtës nga se në mënyrë flagrante shkelet rregullorja e punës së kuvendit dhe kushtetuta e vendit – deklaroi profesori Mersim Maksuti.

Ndërkohë analisti Ismet Ramadani thotë se ishte BDI ajo që mbi 10 vite ka qëndruar në të njëjtin tunel pa dritë bashkë me VMRO-DPMNE-në. Ramadani shton se zgjidhja e krizës fillon me tërheqjen e ministrave të BDI-së.

Është shumë pesimiste dhe tek qytetarët do të ndikojë keq. Mundësia e tërheqjes së ministrave duheshe të ndodh sepse do ishte një porosi shumë e qartë se BDI i ka ndarë punët dhe partneritetin me VMRO-DPMNE-në dhe njëkohësisht do të ishte porosi edhe për faktorin ndërkombëtarë që në të ardhmen të zgjedhin mekanizma dhe instrumente për të vepruar pak më fuqishëm – tha analisti Ismet Ramadani.

Ditë më parë kreu i BDI-së Ali Ahmeti u shpreh pesimist në lidhje me zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Sipas Ahmetit, mundësia e vetme për dalje nga situata e rëndë është ndërgjegjësimi i liderëve politik. Kreu i integristëve shtoi se kërcënimet e Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së nuk janë mënyrë e zgjidhjes së problemeve ndërsa mundësinë për tërheqjen e ministrave e hodhi poshtë si veprim pa efekt juridik.

Komentet
Top