Akademikët maqedonas sulmojnë ashpër “Platformën shqiptare” – VIDEO

Fontana-e-re-ne-Shkup.png

Akademiku maqedonas Mitko Manxhukov ka sulmuar ashpër platformën e partive shqiptare duke e cilësuar atë një dokument të rrezikshëm dhe projekt për siç tha ai Shqipërisë së Madhe. Në Kuvendin e rregullt vjetor për programin e ASHAM-it, në mënyrë të papritur akademiku Maxhunkov që llogaritet si i afërt me VMRO-në, kërkoi nga shqiptarët që të kërkojnë falje dhe urgjentisht ta tërheqin platformën e përbashkët ndërsa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të distancohet nga ky dokument i subjekteve shqiptare.

 Përpjekjet e tanishme për zbatimin e dygjuhësisë në të gjithë territorin shpijnë drejt shkatërrimit të karakterit krishter dhe ortodoks të popullit tonë dhe islamizimin dhe shqiptarizimin e atdheut tonë. Tani është radha e shqiptarëve të kërkojnë falje të tërheqin Platformën e tyre, ndërsa faktori ndërkombëtar të distancohet nga ajo platformë e cila me fjalë të tjera shkatërron Maqedoninë ose e shndërron atë në Shqipëri. Respektivisht, ky është një projekt për Shqipëri të Madhe – deklaroi akademiku Mitko Maxhunkov.

Ndaj kësaj retorike të Maxhokovit ka reaguar ashpër kolegja e tij Katica Çufllikova e cila vlerëson se akademia nuk duhet të përfshihet debatin për platformën shqiptare, që sipas saj po përdoret nga VMRO-ja për të fshehur krimet e kryera gjatë pushtetit.

Vlerësoj se bëhet fjalë për manipulim të rëndë që bën VMRO-ja ose e cila mund të ketë krijuar platformën e partive shqiptare me qëllim që të mbajë pushtetin dhe të amnistohet nga krimet e bëra që nuk janë vetëm financiare. Unë mendoj se në këtë moment ajo platformë është një vegël për destabilizim të shtetit dhe institucioneve në interes të udhëheqësve të pushtetit dhe jo në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve – deklaroi akademikja Katica Çufllikova.

Qëndrimet e Maxhinkovit i kanë dënuar edhe akademikët shqiptarë.

 Këtë nuk guxon ta bën një akademik, duhet të distancohemi të gjithë këtu. Unë personalisht distancohem. Mendoj se të gjithë ne duhet të distancohemi nga këto qëndrime – tha akademiku Alajdein Abazi.

Shqetësim të thellë për krizën politike ka shprehur edhe kryetari i ASHAM-it, i tërhoqi vërejtjen për situatën serioze që mund të eskalojë lehtë dhe ftoi partitë politike që të pengojnë çdo iniciativë për destabilizimin e vendit.

 Me këtë rast dua edhe një herë të theksoj se është e rëndësisë kyçe zgjidhja e çështjeve që i tangojnë marrëdhëniet ndëretnike që në kulmin e krizës në mënyrë shtesë politizohen dhe ashpërsohen. Ato duhet zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe demokratike pa kushtëzime dhe kërcënime të ndërsjella përmes dialogut konstruktiv, tolerancës, respektimit të ndërsjellë të të gjithë aktorëve politikë. Të gjitha zgjidhjet për kapërcimin e çështjeve të hapura duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë – deklaroi Taki Fiti, kryetar i ASHAM-it.

Kjo nuk është hera e parë që akademikët maqedonas të akuzojnë dhe të fyejnë rëndë shqiptarët. Në vitin 2009 ASHAM-i botoi Enciklopedinë maqedonase në të cilën mes ofendimeve tjera të rënda, shqiptarët u cilësuan edhe si njerëz mali.

Komentet
Top