Ahmet Şık

14_02_13_14209_enveri_1.jpg

Nga Enver Robelli

Një dhuratë prej Allahut. Kështu e kishte quajtur kryetari i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përpjekjen për puç në korrik të vitit të kaluar. Dhuratat nga qielli zakonisht janë të mirëseardhura. Për Erdoğanin rebelimi i një pjese të ushtrisë ishte një rast i shumëpritur për të filluar spastrimin final të aparatit të sigurisë. Në Turqi ende vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Rreth 130 mijë zyrtarë të shtetit janë dëbuar nga puna, afro 46 mijë njerëz kanë përfunduar në burgje anekënd Turqisë dhe po dyshohen apo akuzohen si komplotistë.

Më 16 prill në Turqi do të mbahet një referendum, ku qytetarët do të vendosin nëse duan ta varrosin Republikën e themeluar nga Mustafa Kemal Atatürku. Kushtetuta e re, të cilën Erdoğan pret ta miratojnë bashkëkombësit e tij, i jep presidentit kompetenca si të sulltanëve osmanë. Pushteti do të jetë i koncentruar në duart e një njeriu – ai njeri quhet Recep Tayyip Erdoğan. Ligji themelor i shtetit do t’ia mundësojë Erdoğanit të qëndrojë në pushtet si president deri në vitin 2029, me ndonjë manipulim juridik madje deri në vitin 2034. Atëherë padishahu turk do të jetë 80-vjeçar.

Njëri nga gazetarët turq që kundërshtonte ambiciet gjithnjë e më absurde, autokratike të Erdoğanit është Ahmet Şık. Si reporter hulumtues, autor librash dhe kritik i pushtetit, Şık ishte halë në sytë e presidentit dhe të shërbëtorëve të tij. Në vitin 2011, Şık u arrestua dhe dorëshkrimi i librit të tij “Armata e imamit” u konfiskua. Në libër ai e kritikonte lëvizjen e imamit Fetullah Gülen për infiltrim të policisë dhe drejtësisë. Atëbotë Erdoğan e konsideronte ende mik Gülenin, andaj nuk duronte asnjë kritikë ndaj tij. Kështu Ahmet Şık përfundoi në burg për rreth një vit. Gjykatësja Emine Ülker Tarhan dha dorëheqje në shenjë proteste kundër arrestimit të gazetarit dhe e krahasoi klimën politike në Turqi me romanin “1984” të George Orwellit. Në këtë vepër përshkruhet perandoria e frikës e ndërtuar nga një regjim totalitar.

Nuk ka asnjë dyshim se Ahmet Şık ishte një kritik i ashpër i lëvizjes güleniste. Që nga 29 dhjetori i vitit të kaluar ai gjendet në burg – dhe ja përse: Şık akuzohet se ka bërë propagandë për një organizatë terroriste dhe i ka fyer autoritetet shtetërore. Një arbitraritet i tillë sot për sot është i mundshëm vetëm në Turqinë e Recep Tayyip Erdoğanit. Në vitin 2011, një gazetar arrestohet se po e kritikonte lëvizjen Gülen. Në vitin 2016 i njëjti gazetar burgoset nën akuzën se e ka përkrahur këtë organizatë. Në vitin 2011 dorëshkrimi i tij me titullin “Armata e imamit” ishte shpallur “libri më i rrezikshëm i vendit”, ndërsa në vitin 2016 reporteri i njëjtë fajësohet se ka bërë propagandë për Gülenin.

Në mars të vitit 2012, një javë pasi kishte dalë nga burgu, Ahmet Şık i kishte një intervistë gazetës zvicerane “Tages Anzeiger”, në të cilën, mes të tjerash, tha: “Mediat turke janë në një gjendje me të vërtetë të tmerrshme. Tani ende 100 gazetarë janë prapa grilave. Por problemi më i madh nuk janë gazetarët në burg, por ata që kanë mbetur jashtë. Ata ndodhen në një kafaz edhe më të madh. Problemi është strukturor: pronarët e mediave nuk i përkasin sektorit të mediave. Këtu kanë qenë përherë firmat e mëdha me shumë degë, të cilat kanë bërë biznes në fusha të tjera dhe kanë blerë gazeta për të fituar ndikim politik. Gazetarët pastaj shkruajnë atë që dëshiron shefi. Autocensura këtu është më e rëndësishme se censura nga shteti. Bosët e mediave dhe qeveria përziejnë të njëjtin kazan”.

Kundër këtij sistemi u rebelua Ahmet Şık. Dhe u arrestua disa herë. Rasti i tij është dëshmi e qartë se gazetarët e mirëfilltë kanë problem si me pushtetet autoritare ashtu edhe me botuesit që kanë parasysh vetëm interesat e tyre private apo të partive të caktuara politike. Ndonëse Kosova dhe Shqipëria fatmirësisht janë larg modelit turk të sundimit, ky rrezik mund të rritet në të ardhmen nëse zbehen gjithnjë e më shumë gjasat e integrimit në Bashkimin Evropian dhe nëse botuesit vazhdojnë t’i trajtojnë gazetarët vetëm si qatipë që për një rrogë të mjerueshme shkruajnë procesverbale të mërzitshme.

Kundër këtij modeli rezistoi Ahmet Şık. Ai sot vuan nën një sistem represiv, por njëkohësisht duhet të jetë edhe shembull i përkushtimit për një profesion, i cili qëllim parësor duhet të ketë mbikëqyrjen e punëve të pushtetit dhe denoncimin e së keqes sa herë që të jetë e nevojshme. Lirimin e gazetarit turk po e kërkojnë kolegë të tij në Turqi (ata që kanë mbetur jashtë burgut), për Ahmet Şık po shkruajnë mediat kryesore perëndimore. Pasi ishte liruar nga burgu në vitin 2012, ai kishte treguar për kohën e kaluar prapa gripave: “Gjatë një viti unë kam parë vetëm dy shokët e mi në qeli. Dhe një herë në javë gruan time. Njëri nga rojat e burgut më solli një radio. Por për shkak të mureve të trasha radioja nuk kapte asnjë stacion, andaj e nxirrja radion nga dritarja – dhe e dini se cilin stacion mund të dëgjonim? Samanyolu – stacionin e komunitetit të Gülenit”.

Komentet
Top