Viktimat e demonstratave të 1981 në Prishtinë, u përkujtuan sot në Shkup, me një akademi përkujtimore. 29 vjet pas protestave të përgjakshme, shqiptarët mbeten ende larg të drejtave të barabarta. Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare nga Kosova, Adem Demaçi tha se politikanët tanë nuk duhet të bëhen pre e interesave ditore, por të punojnë për popullin nga i cili kanë marrë verdiktin.
“Të gjitha shkojnë e vijnë, shkojnë edhe Hasanat e Hysenat e të tjerët, shkojnë edhe partitë njëra pas tjetrës, por kombi mbetet. Prandaj le të investojmë le të sakrifikojmë për interesin e kombit nëse nuk duam që të harrohemi dhe nëse nuk duam që të vdesim. Vëllezërit tanë që janë të instaluar nëpër pushtete në të katër anët e hapësirës shqiptare, në rend të parë kur të ngrihen në mëngjes të mendojnë çfarë duhet të bëjë diçka për kombin tim!”, tha Adem Demaçi.
“Të sharat e Adem Demaçit na bëjnë mirë, sepse na shanë në gjuhën shqipe që ne të jemi edhe më të mirë, sepse na do shumë dhe njeriun që të qorton duaje, mos e duaj atë që të lavdëron. Këto të arritura sigurisht që janë me sakrifica të panumërta, sigurisht që i vranë dhe u vranë shqiptarët për lirinë e vet, por ama pushtuesit një gjë nuk e arritën, nuk arritën të vrasin truallin shqiptar, truallin që ushqen shqiptarët, këtë nuk e arritën dot dhe bijtë e vet këtë truall e çliruan”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ndërkohë, para Muzeut të Lirisë në Shkup u zbulua pllaka përkujtimore në nder të dëshmorit kombëtar, Mursel Ahmeti, djalit të Ahmet Delisë, i cili në vitin 1931 u soll i plagosur në Shkup dhe më pas u helmua. Kreu i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se zbulimi i kësaj pllake përkujtimore është një hap drejt kthimit të të gjitha simboleve shqiptare në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës – Shkup.
Gjatë Akademisë përkujtimore të 29 vjetorit të fillimit të demonstratave të vitit 1981, morën pjesë dhe anëtarë të familjes së Adem Jasharit, Ahmet Delisë dhe Tahir Mehës, si dha dy ambasadorë, ai i Shqipërisë, Arben Çejku dhe ai i Kosovës, Skënder Durmishi.
Lajme tjera:
- Pas rezolutës, në fokus bisedimet Kosovë-Serbi
- Forumi Ekonomik Botëror, Shqipëria shënon rritje
- Gëzuar festën e Fitër Bajramit
- Meta: Diplomacia shqiptare po intensifikon përpjekjet për njohjen e Kosovës
- Për shqiptarët në Maqedoni 8 shtatori, ditë e zakonshme
- Berisha me megaplane për 100-vjetorin e pavarësisë
- Myslimanët nesër e festojnë Fitër Bajramin
- Fajon apel BE-së: Të vendoset data e liberalizimit të vizave
- Kur do të pranohen vendet e Ballkanit Perëndimor në BE?
- BE-ja dhe Serbia “Lojë shtesë” për Rezolutën
