Home » Opinione » Të vërtetat dhe mitet për epideminë gripale H1N1

Të vërtetat dhe mitet për epideminë gripale H1N1

Nga Dr. Arqile Boti

Që kur ka dalë në skenë epidemia e gripit të derrit, ka një dizinformacion të bollshëm, që ngatërron jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe mjekë. Unë do të mundohem që në bazë të eksperiencës sime të gjatë ti afrohem sa më afër së vërtetës, se e vërteta absolute është vetë Zoti.

Së pari, a është epidemia e tanishme e gripit të derrit më e rëndë se të gjitha epidemitë e tjera të gripit që kanë kaluar 30-40 vitet e fundit? E vërteta është se epidemia e tanishme jo vetëm që nuk është më e rëndë se epidemia e vitit 1976, kur punoja në urgjencë, e shkaktuar po nga tipi i virusit H1N1, dhe e 1972, kur punoja në Baldushk, por është më e lehtë se ato. Mbaj mend që epidemia gripale e 1975-1976 shoqërohej me gjak nga goja dhe nga hunda dhe me komplikacione pulmonare kryesisht nga mykoplazma pneumoniae. Alarmi i dhënë nga disa ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që e bëjnë gripin si tërmetin e Haitit, tregojnë mungesë eksperience praktike dhe inkopetencë profesionale.

Pse epidemitë gripale përcaktohen me germat fillestare “H” dhe “N”? Kjo vjen për arsye se në sipërfaqen e virusit të gripit ndodhen dy komponentë antigjenike polisakaridë, njëri prej të cilëve quhet Hemaglutininë dhe shënohet me germën fillestare “H” dhe që jep sindromin hemolitik uremik si komplikacion i gripit, dhe komponenti tjetër, që quhet Neuraminidazë dhe që vepron direkt te sistemi nervor, që në njerëzit që kanë defiçiencë imuniteti antivirusal jep komplikacione si meningoencefalite etj. Ndryshimi i këtyre tipave në epidemi të ndryshme të gripit gjenetikisht shënohet me variante të ndryshme si H1N1, H1N2, deri në H5N1 etj. Ndryshimi i strukturës antigjenike të sipërfaqes së virusit e bën inefikas veprimin e një vaksine të mëparshme.

Vdekjet gjatë epidemive gripale ndodhin nga vetë gripi apo nga komplikacionet që jep?

Rreth 70%-75% e vdekjeve ndodhin nga komplikacionet, të cilat janë më të rënda te moshat e kaluara dhe te fëmijët. Ndër këto komplikacione po përmendim:

Pneumonia stafilokoksike, që e kam ndeshur kryesisht në zonën e Baldushkut në moshat mbi 60 vjeç dhe që ka këto shenja klinike: pas 4-5 ditësh të fillimit të gripit ngrihet një valë e re temperature me një kollë e thellë me gëlbazë shpesh me gjak, me dhimbje të forta në gjoks, me marrje mendsh, me marrje fryme të shkallëve të ndryshme, me buzët me nuancë blu dhe me një këputje të madhe dhe gjumësi. I sëmuri mezi i përgjigjet pyetjeve që i bëhen. Veç pneumonive stafilokoksike kemi dhe pneumoni të shkaktuar nga hemofilus influence, ndërsa në epideminë e gripit 1976, që unë e konsideroj më të fortën që ka ndodhur pas vitit 1960, kur kam filluar punën si mjek, ka pasur shumë komplikacione nga mykoplazma pneumonia me një kuadër të rëndë, që po nuk u morën masa të shpejta, të çon në vdekje, sidomos te personat e moshuar dhe te fëmijët e vegjël. Në këto raste një ndërhyrje urgjente në shpesh shpëton të sëmurin nga vdekja, siç e kam konstatuar direkt në praktikë në qindra herë. Ndërhyrja urgjente, po e ripërsëris, konsiston te:

Camphora Oleoza, ampulë intramuskulare, 1-3 ditë te personat e rritur.

Coffeinë natriobenzoike ampula 1-3 ditë.

Sparteinë për ata që kanë dhe dobësi zemre, edhe në rast temperature shumë të lartë. Mbi 39-40, analginë ampulë. Kjo vepron menjëherë, dhe këtu po flas nga praktika, jo nga leksione teorike.

Për pneumonitë stafilokoksike efikasitet të dukshëm për ata që nuk kanë burime financiare të duhura ka në shumicën e rasteve penicilina G-kristal (e cila hapet më lirshëm në inde sesa Bipenicilina), së bashku me Gentamicinë, dy herë në ditë nga 500-1 milion unite penicilin G-kristal dhe dy Gentamicina nga 80 mg. Kjo ka një veprim të shpejtë në shumicën e rasteve, së bashku me ndërhyrjen urgjente. Ndërsa në konditat e spitaleve përdoret edhe Vankomicina, por që është e shtrenjtë dhe nuk mund të merret nga të gjithë në kondita ambulatore.

Në rastet e pneumonive mykoplazmatike për të rritur, një kombinim i Azitromicinës së bashku me Ciprofloxacinën ose Doxyciclin me Ciprofloxacinë janë një rezultat shumë i mirë në shumicën e rasteve. Vetëkuptohet që rastet shumë të rënda do të shtrohen në spital për të bërë mjekim të specializuar. Duke përdorur metodën e penicilinës me Gentamicin, në zonën e Baldushkut, në vitin 1972, unë kam pasur një vdekje të një gruaje të rritur nga komplikacionet e gripit, dhe një fëmijë në 3000 banorë. Këta kanë vdekur në spital.

Komplikacione të tjera të gripit janë sinusiti, tozilitet, otitet edhe në raste të rralla meningitet, po nuk ka nevojë të zgjerohemi në këtë pikë.

Te fëmijët 4 komplikacione të virusit të gripit janë shumë të rënda. I pari është sindromi Reye, që shfaqet me encefalopati, prekje të trurit dhe të mëlçisë së zezë, me përqindje të lartë vdekjeje.

I dyti është sindromi Gasër, që konsiston në atë që quhet sindromi uremik hemolitik, që unë kam parë dy raste gjithsej në stazhin tim, që shoqërohet me hemolizë edhe azotemi.

I treti është pamjaftueshmëria akute e enëve koronare të zemrës, që mund të çojë në vdekje të papritura.

Sindromi i katërt është Waterhouse Friedrich Sen ose pamjaftueshmëria akute e gjëndrave mbiveshkore, që po nuk u morën masa të shpejta, të çon në vdekje. Të gjitha këto komplikacione detyrimisht duhet trajtuar në qendra të specializuara. Këshilla të ngjashme ne prisnim nga ekspertët të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe jo të na thoshin: Lani duart, që mos tju kapë gripi!

Po e ripërsëris edhe njëherë që për të kaluar çdo grip lehtë, më këmbë ose pak ditë në shtrat, duhen zbatuar këto:

- Të ndalohen ushqimet e thata dhe të përdoren vetëm lëngje për 3-4 ditë. Do të veçoj ndër këto lëngje lëngun e mollës, portokallit dhe të shegës, disa herë në ditë. Kjo ka për qëllim të shpëlajë toksinat e virusit nga qelizat, duke shkarkuar mëlçinë e zezë dhe veshkat nga puna e sforcuar për të tretur ushqimet me tepricë.

- Të mos vihen në dhomë kondicionerë që thajnë ajrin. Po të jetë shumë thatë, të varen dy peshqirë me ujë, që të shtohet lagështia e ambientit.

- Të mbrohen këmbët, që të mbahen të ngrohta, me çorape leshi, sepse ka bërë vaki që kur kanë kaluar lumin e ftohtë fshatarët në dimër, zbathur, në shumë raste janë sëmurur pas 2-3 ditësh. Edhe një fanellë leshi nuk është keq, sepse thith djersën.

- Ndër lëngje të tjera preferohet Coca Cola, sepse ka kafeinë dhe cola që të tonizon organizmin, por jo të përdoret për një kohë të gjatë vazhdimisht, sepse është e dëmshme.

- Në një gotë ujë mund të hedhim gjysmë grami vitaminë C dhe ta pimë si limonadë. Vitamina C rregullon funksionin e gjëndrës mbiveshkore dhe rrit aftësinë e imunitetit të organizmit.

Te fëmijët e vegjël, një kombinim i penicilinës G-kristal me Gentamicinë dhe në raste më të rënda shtojmë edhe Ultracortenin muskulor (në spitale këto bëhen intravenoze), në shumicën dërrmuese të rasteve nxjerr fëmijët nga situata, por ata që nuk janë në gjendje shumë të rëndë.

Nga disa ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë na u reklamoka Tamifluja si një mjet i vetëm që mund të kurojë epidemitë gripale, duke përfshirë dhe atë të derrit.

Por unë do të citoj një informacion të agjencisë britanike “Health Protection”, që gjer në fund të vitit që kaloi 53% e fëmijëve që iu dha ky ilaç, kanë referuar disa reaksione anësore. Ankesa më e madhe ishte tendenca për vjellje, që u referua në 29% të fëmijëve, pastaj vinte dhimbja në stomak, ngërçet dhe çrregullime të gjumit. Gjithashtu, 1 në 5 fëmijë vuante nga një reaksion neuropsikiatrik si ëndrrat e frikshme dhe sjellje jonormale. Më befasuese janë të dhënat e shëndetit publik në Japoni, që kanë referuar, megjithëse në numër të pakët, një tendence agresiviteti midis të rinjve, ndonjëherë edhe me prirje për vetëvrasje tek ata që iu është dhënë Tamifluja. Disa ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë referojnë se është i vetmi ilaç në botë, që mund të veprojë në epidemitë gripale të derrit. Por unë do tu përgjigjem se ka ilaçe të tjera pa efekte anësore dhe me po të njëjtin efikasitet, si: Guna Flu, Guna Pharmaceutical Cytomix po të kësaj fabrike. Unë, nga eksperienca e gjatë që kam shpëtuar vetë nga shumë epidemi gripale, kam përdorur disa bimë antivirusale, që kohët e fundit i kam kaluar në prodhim të vogël e që quhen Pekish Flu me pika. Unë i kam përdorur me të zierë. Asnjë grip smë ka kapur deri tani. Për homeopatinë dhe për epidemitë gripale do të shkruaj një artikull tjetër, sepse është një fushë më vete, ndërsa për sa i përket vaksinës së gripit, mendimin do ta japim kur të shohim rezultatin praktik.

Vendose lajmin në:
  • Facebook
  • Dergoja nje miku me E-mail!
  • TwitThis
  • Google

lajme tjera

Leave a comment

web analytics