Holandezi Dirk Kujt ka shënuar golin e fitores për futbollistët e Liverpulit në takimin kundër rivalit të qytetit Everton me rezultat 1:0, në kuadër të kampionatit anglez të futbollit.
Golin e fitores Kujt e shënoi në minutën 55 të ndeshjes, pasi shfrytëzoi me dinakëri goditjen nga këndi të kapitenit të Liverpulit, Stiven Xherard.
Liverpul arriti deri te tri pikë ndonëse prej minutës 35 kishte një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Sotiros Kirijakos.
Futbollisti grek mori kartonin e kuq për shkak të ndërhyrjes së ashpër me të dyja këmbët ndaj lojtarit të Evertonit, Maruan Felaini. Takimin me dhjetë lojtarë në terren e përfundoi edhe Everton, pasi Stiven Pijenad në minutën e 90-të mori edhe kartonin e dytë të verdhë. Duke iu falënderuar kësaj fitoreje, Liverpuli është ngjitur në vendin e katërt të tabelës, të cilin mund ta humbë nëse Totenhem shënon fitore ndaj Aston Vilës.
Mançester Junajtedi shënoi fitore bindëse ndaj ekipit të fundit në renditje – Portsmuthit me rezultat 5:0, ndërsa takimin e karakterizoi seria e auto-golave të skuadrës mysafire që në tri raste goditën portën e tyre. Runi dhe Berbatov shënuan dy golat tjerë për skuadrën nga “Old Trafford” e cila të paktën deri të dielën do të qëndroi në krye të renditjes pas javës së 25-të.
Fitore të vlefshme të shtunën shënuan edhe Barnli ndaj Uest hemit (2:1), Hall Siti që befasoi Mançester Sitin me rezultat 2:1 dhe Stouk Siti i cili deklasoi Blekburnin (3:0).
Derbi i javës zhvillohet nesër ndërmjet liderit Çelsit dhe Arsenalit, i cili renditet në pozitën e tretë.







