Federata Shqiptare e Futbollit dhe trajneri i kuqezinjve, Josip Kuzhe, kanë nisur zbatimin e projektit të Kombëtares në kuadër të përgatitjeve për kampionatit evropian, që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Përveç grumbullimit 10 ditor në Antalia të Turqisë, është planifikuar edhe zhvillimi i disa takimeve miqësore, i pari më 3 mars të vitit të ardhshëm. Kundërshtari i parë i vitit 2010 do të jetë Luksemburgu. Ndeshja me kundërshtarin në fjalë do të luhet më 3 mars, pikërisht në shtetin e vogël të Beneluksit, që ndodhet në kufi me Holandën, Belgjikën dhe Gjermaninë. Trajneri kroat i kuqezinjve, Josip Kuzhe, ka zgjedhur një kundërshtar relativisht të dobët dhe pritet të grumbullojë lojtarë të rinj, të cilët nuk e kanë eksperiencën e duhur për t’u përballur në arenën ndërkombëtare. Lojtarët që do të grumbullojë trajneri Kuzhe për sfidën me Luksemburgun do të caktohen pas “zborit” të Turqisë. Është zgjedhur si fillim Luksemburgu, pasi kombëtarja e Kuzhesë në këtë periudhë do të jetë në hapat e para të përgatitjes për eliminatoret e Evropianit. Federata Shqiptare e Futbollit ka në plan të zhvillojë të tjera miqësore, ku sigurisht kundërshtarët do të jenë të një niveli më të lartë. Luksemburgu është kundërshtari i parë i përzgjedhur për miqësore para hedhjes së shortit të Euro 2012 më 7 shkurt të vitit të ardhshëm. Në pranverë, pasi të jemi njohur me shortin, që do të na bëjë të mundur njohjen e kundërshtarëve, do të vendoset për miqësoret e ardhshme. Sigurisht, para kompeticioneve të rëndësishme përzgjidhen kundërshtarë që nuk i kemi në grup, megjithatë Luksemburgu, për atë që përfaqëson në futbollin ndërkombëtar, nuk i prish punë trajnerit Kuzhe edhe nëse na bie në short në eliminatoret e Euro 2012. Shqipëria bën pjesë në vazon e 5 të, ndërsa Luksemburgu në vazon e 6 të. Kjo do të thotë se ekziston mundësia që ky kundërshtar, i përzgjedhur për miqësoren e 3 marsit, mund të na bjerë në grup për Euro 2012 n. Shqipëria dhe Luksemburgu kanë qenë në të njëjtin grup për Euro 2008 n, që u zhvillua në Austri dhe Zvicër. Para gati katër vjetësh në krye të kuqezinjve ishte kroati Oto Bariç me të cilin Shqipëria i fitoi të dyja ndeshjet e grupit ndaj Luksemburgut. Në takimin e parë në Tiranë Shqipëria fitoi 2 0, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Luksemburg shifrat e fitores ishin më të thella, 3 0. Në “Qemal Stafa” kanë shënuar Edmond Kapllani dhe Altin Haxhi, ndërsa në transfertë Ervin Skela dhe dy herë sërish Edmond Kapllani. Pra, sulmuesi i Augsburgut i ka shënuar tre gola në dy ndeshje Luksemburgut. Gjithsej kemi realizuar 3 ndeshje kundër Luksemburgut, me bilancin 2 fitore dhe 1 barazim pa gola (13 shkurt 2002) në kohën kur kuqezinjtë i drejtonte Sulejman Demollari.
Home » Sport » Kombëtarja, miqësore me Luksemburgun







