Home » LifeStyle » Pse braktisen prindërit ?

Pse braktisen prindërit ?

foto Arsyet e braktisjes së prindërve, të shumta. Emigrimi dhe konfliktet familjare. Azilet, 400 euro në muaj, për të mbajtur të moshuarit. Institucionet private kërkojnë më shumë parà, shtetëroret shërbim të kufizuar. Braktisja e prindërve nga fëmijët nuk është më fenomen i ri, por i zakonshëm në vendin tonë. Duhet të paguash vetëm 400 euro në muaj dhe për prindërit do të kujdesen institucionet private dhe jo private, larg familjes. Në qendrat rezidenciale shtetërore janë rreth 103 të moshuar që rezultojnë me familje, por që familjarët, për arsye të ndryshme, nuk kanë pranuar që prindërit të jetojnë në shtëpi, duke mos përmendur edhe qendrat e tjera private në Tiranë dhe në rrethet e vendit. Statistikat e Shërbimit Social Shtetëror tregojnë për rritje të numrit të të moshuarve në qendrat rezidenciale. Drejtuesit e Shërbimit Social Shtetëror bëjnë të ditur se vetëm për periudhën janar–qershor 2009 janë shtuar 27 moshuar. Ndërkohë, shpjegohet se shkaqet janë nga më të ndryshmet, por duhet theksuar edhe emigracioni, si një ndër faktorët kryesorë. Kjo ndodh, pasi fëmijët nuk mund t’i marrin prindërit në vendet e huaja, ku ata punojnë dhe jetojnë, dhe të moshuarit detyrohen të drejtohen në këto qendra për më tepër përkujdesje dhe shoqëri.
Arsyet e braktisjes. Arsyet e braktisjes së prindërve nga fëmijët janë nga më të ndryshmet, por SHSSH-ja thekson, si një ndër arsyet, edhe rastet e emigracionit. Arsye tjetër renditet edhe pamundësia e fëmijëve për të mbajtur prindërit e moshuar dhe shpenzimet e shumta që ka mosha e tretë, për shkak të kushteve shëndetësore. Por nuk përjashtohet mundësia e dëshirës që kanë fëmijët, për të mos i pranuar në shtëpi. Për një pjesë të madhe të familjeve shkak është bërë edhe konflikti vjehrrës-nuse. Ka raste, kur këtë rrugë e zgjedhin vetë të moshuarit, duke mos i pranuar kushtet pranë familjes së tyre. Për një pjesë të rëndësishme është edhe gjetja e shoqërisë, sidomos në qendrat rezidenciale ditore.
Qendrat shtetërore. Për sa u përket shërbimeve publike që ofrohen nga shteti, në 5 Shtëpitë e të Moshuarve vihen re shifra të ndryshme. Në qendrat ditore të Kamzës dhe Sarandës trajtohen përkatësisht 35 dhe 40 të moshuar. Pra, në total numri i të moshuarve që trajtohen në institucionet publike të përkujdesit është 310, prej të cilëve 136 derdhin pension, 94 janë pa pension, 103 prej tyre janë të moshuar, që rezultojnë me familje, si dhe 137 janë të vetëm, domethënë pa familje. Drejtuesit bëjnë të ditur se, për periudhën janar–qershor 2009 janë shtuar si klientë të rinj 27 të moshuar, janë transferuar gjashtë, kanë vdekur 11, si dhe janë kthyer në familjet biologjike dy të moshuar. Ajo evidenton gjithashtu se kërkesat për sistemim në Shtëpitë e të Moshuarve, gjatë kësaj periudhe të vitit 2009 janë në rritje, në krahasim me vitin 2008. Për këtë arsye, janë vendosur edhe kriteret e pranimit në qendrat rezidenciale, sipas të cilave, në qendër të vëmendjes janë të moshuarit më të vetmuar të shoqërisë, që janë pa strehim, pa përkujdesje, me probleme shëndetësore etj.

Qendrat private. Duke iu referuar nevojave gjithmonë në rritje për shërbimet që duhet t’u ofrohen moshave të treta, funksionon edhe rrjeti i shërbimeve të OJF-ve. Aktualisht, shërbim për të moshuarit rezidencialë dhe ditorë ofrojnë këto qendra: “Misionarët e Bamirësisë” – Motrat Nënë Tereza, me 70 klientë në Tiranë, shërbehet në dy godina të ndara sipas gjinisë; 15 klientë në Durrës dhe 10 klientë në Pukë, vetëm për femra. Po kështu, në Qendrën Ditore Balashe në Elbasan trajtohen 50 të moshuar ditorë, ndërsa në qendrën sociale “Kuka” në Tiranë trajtohen 10 të moshuar të tjerë. Pra, në total, në të gjitha institucionet jopublike trajtohen gjithsej 105 të moshuar rezidencialë dhe 50 të moshuar ditorë. Pagesa në qendrat private. Për sa i përket shërbimit social privat për të moshuar, ky shërbim është ende në fillimet e tij. Për këtë arsye, edhe numri i të moshuarve në këto qendra nuk është i lartë. Por, me rritjen e kapaciteteve dhe funksionimit pritet të ketë edhe rritje të kërkesave. Këtu mund të përmendim qendrën social shëndetësore “Joshua Center”, e mbështetur nga donatorë të huaj, e cila ka një kapacitet prej 25 të moshuarish. Në këtë qendër pranohen të moshuar me pagesë; pagesa varion nga 300-400 euro në muaj. Ndërkaq, veç shërbimeve të sipërpërmendura, të moshuarve u vijnë në ndihmë dhe shërbimet social-komunitare të ofruara nga projekti i Bankës Botërore, të cilat janë në varësi të menaxhimit dhe administrimit të pushtetit vendor. Shërbimet komunitare për të moshuarit që mbështeten nga Banka Botërore dhe që, kryesisht ofrojnë mbështetje për të moshuarit në shërbime sociale ditore, variojnë në një pjesë të rretheve të vendit. Këto qendra janë: Qendra komunitare e shërbimeve sociale në Pukë, Qendra sociale e ofrimit të shërbimit për të moshuarit Maminas, Qendra sociale e Bashkisë Cërrik, Qendra sociale e Bashkisë Memaliaj, Qendra e zhvillimit dhe integrimit në Komunën Antigone Gjirokastër, Qendra komunitare e Bashkisë Rrogozhinë, Qendra komunitare e Bashkisë Delvinë, Qendra komunitare e Bashkisë Orikum, Vlorë.

Cilësia e shërbimit. Premti sqaroi se shërbimet për moshën e tretë kanë pësuar ndryshime pozitive, në drejtim të cilësisë dhe standardeve të shërbimit, duke tentuar që kushtet në institucione të jenë sa më afër familjes. “Janë bërë ndryshime, në nivelin e kushteve të jetesës, të cilësisë, të ushqimit, higjienës dhe kushteve të banimit, duke i përmirësuar vazhdimisht. Gjatë këtij viti është rritur kuota ushqimore për të moshuarit, në Udhëzimin Nr. 303, dt. 13.02.2007, qe ishte 180 dhe u rrit në 230 lekë në ditë”, theksojnë specialistët e shërbimit social. Gjithashtu, është rritur kuota e përfitimit të pagesës kesh mujore, në 50% e pensionit që marrin të moshuarit. Ndërsa, për ata të moshuar që nuk marrin pension, ju është akorduar një shumë prej 4 000 lekësh për shpenzime mujore. Por, sipas specialistëve, nevoja për trajnime të personelit është e vazhdueshme dhe duhet aplikuar gjatë gjithë kohë. Shërbimi Social Shtetëror, në përputhje me politikat e qeverisë, ofron shërbime sociale në ndihmë të klientëve dhe shtresave në nevojë, si fëmijë jetimë socialë, biologjikë, të moshuar të braktisur, të vetmuar, fëmijë me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike në 26 institucione të shpërndara në të gjithë vendin. Në kuadër të decentralizimit dhe deinstitucionalizimit të institucioneve të përkujdesit shoqëror, për të zbutur sadopak peshën e problemeve sociale, janë krijuar tipologji të reja të shërbimit që synojnë zgjerimin e hapësirave të veprimit dhe përgjegjësisë qytetare të Pushtetit Vendor, sidomos për të moshuarit. Prandaj, në shërbim të kësaj kategorie funksionon një rrjet i tërë institucionesh publike, jopublike, private dhe projekte të Bankës Botërore.

Të dhënat. Pensionistët në azile, në shifra. 310 është numri i të moshuarve që strehohen në institucione shtetërore. 103 rezultojnë ta kenë familjen në Shqipëri, por refuzojnë t’i mbajnë. 105 të moshuar strehohen në institucionet jopublike. 50 të moshuar marrin shërbime pranë qendrave ditore. 137 të moshuar janë vetëm pa asnjë njeri që mund t’i strehojë. 136 prej të moshuarve të azil kanë të drejtë të marrin pension. 94 të moshuar nuk gëzojnë të drejtën e pensionit. 27 “klientë” të rinj u janë shtuar azileve shtetërore në periudhën janar-qershor 2008. 300-400 euro është pagesa mujore për strehimin e të moshuarve në azilet private.

Nga Blerina Kaca

Vendose lajmin në:
  • Facebook
  • Dergoja nje miku me E-mail!
  • TwitThis
  • Google

lajme tjera

Tags:

Leave a comment

web analytics