Home » LifeStyle » Operacionet plastike, trendi i ri shqiptar

Operacionet plastike, trendi i ri shqiptar

Operacionet plastike

Operacionet plastike, tendencë për të qenë sa më perfektë. Në rritje numri i djemve që kërkojnë të bëjnë operacione plastike. Braho: Mjekët gabojnë në masën deri në 15 %, pacientët u nënshtrohen operacioneve katër herë. Tendenca për të pasur një pamje sa më të mirë, tashmë duket jo vetëm për femrat, pasi kohët e fundit janë edhe djemtë ata që kërkojnë të bëjnë më tepër ndërhyrje plastike, për të pasur një pamje sa më të mirë. Natyra nuk i ka krijuar të gjithë njerëzit të njëjtë. Për disa është treguar bujare e, dikujt tjetër mund t’i ketë rezervuar edhe të meta apo defekte, ndaj jo të gjithë kanë pamjen që do të donin të kishin. Një hundë e madhe apo e fryrë mund të shkaktojë madje gjendje stresi, sa herë që shihesh në pasqyrë. Apo veshë të mëdhenj, të shndërrojnë në një djalë që u druhet flokëve të shkurtra dhe, nëse je vajzë, të jesh e destinuar të mos i mbledhësh kurrë flokët. Por sot, shumë shqetësime të tilla estetike kanë gjetur zgjidhje, nëpërmjet operacioneve plastike.

Operacionet. Janë të shumtë sot njerëzit, të gatshëm të bëjnë ndërhyrje kirurgjikale në kërkim të perfeksionit të tipareve. Madje, guxojnë t’i nënshtrohen bisturisë, edhe kur nuk kanë defekte, duke stilizuar gjoksin dhe buzët me silikon. Kjo është mania e shumë prej të rinjve, të cilët trokasin në dyert e kirurgëve e mjekëve të plastikës, për të transformuar pamjen e tyre. Lidhur më këtë problem (tendencë për pamje perfekt), gazeta ka kontaktuar me një nga mjekët e Spitalit Ushtarak, me Hekuran Brahon, i cili na rrëfen jo vetëm disa sekrete të profesionit, por edhe tendencat që vihen re midis të rinjve dhe moshave të tjera. Madje, prej tij mësojmë se nuk janë vetëm vajzat dhe gratë në moshë që drejtohen në klinikat plastike, por edhe shumë djem të rinj, të cilët po synojnë “pamjen perfekt”. Një fenomen i ri ky, aq më tepër në shoqërinë shqiptare, që mund të themi se ende është e mbingarkuar nga konceptet konservatore. Ajo çka është më e veçantë është fakti se në spital paraqiten shumë të rinj që nuk e kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe që kërkojnë të bëjnë ndërhyrje, duke thënë se e duan hundën si të Braad Pit (në rastin konkret, djemtë). Por kjo, sipas Hekuran Brahos, mjek në Spitalin e Ushtarak, nuk është as e lejueshme dhe as e këshillueshme, pasi trupi i njeriut është akoma në rritje.

Problemet. Vetëm këtë vit, në Spitalin Ushtarak janë paraqitur mbi 250 raste të personave që kërkojnë të bëjnë ndërhyrje. Sigurisht që ndërhyrja në hundë ka edhe problemet e veta, kjo jo vetëm për shkak të  pacientit, por edhe për shkak të mjekut pasi, nëse një ndërhyrje në hundë nuk bëhet mirë herën e parë, atëherë herën e dytë duhet medoemos të riparohet gabimi i bërë nga ana e mjekut që ka kryer operacionin e parë, ka pohuar për gazetën Braho. Megjithatë, ai ka shtuar se në klinikat dhe spitalet tona ekziston një përqindje e lartë  e rasteve të gabimeve nga ana e mjekut. Ato variojnë deri në masën 5-15% të atyre rasteve që kanë probleme pas operacionit e, për të cilat është dashur të ndërhyhet sërish deri në 4 operacione plastike. Ajo çfarë është më shqetësuese, thekson mjeku Braho, është se tek operacionet plastike theksohet vetëm përfitimi i pamjes, pacientëve nuk u kushtohet rëndësi nga mjekët, nuk u ofrohen këshilla e, për pasojë, ka efekte negative nga këto lloj operacionesh. Njëkohësisht, ekziston një edukatë e dobët shëndetësore. Vetë pacientët, pasi heqin fashat nga hunda e re apo nga veshët, nuk kujtohen të kthehen më te mjeku i plastikës, sepse mendojnë se puna mbaroi me kaq. “Operacionet plastike, sidomos të hundës e të veshëve, që janë më të shpeshta, kërkojnë kujdes dhe asistencë të specialistit edhe pasi hiqen fashat, pasi mund të lindë ndonjë infeksion i mundshëm”, vijon Braho me këshillat e tij.

Doktor Hekuran Braho, mjek në Spitalin Ushtarak në Tiranë. “Njerëz të përkryer në pamje fizike nuk ka, por ka bisturi”. Kur mendon që operacionet plastike janë bërë edhe përpara viteve 90, pikërisht në spitalet shqiptare, tabuja për këtë bëhet edhe më e zbehtë. Mirëpo, në ato vite këto ndërhyrje bëheshin më shumë në raste aksidentesh, dhe jo për të pasur pamje më të bukur, pohon Hekuran Braho. Kurse sot, për disa kategori shoqërore, veçanërisht për vajzat që shohim shpesh nëpër ekrane e që, dashur padashur, me meritë apo pa meritë, bëhen modele të sjelljes, arsyet e ndërhyrjeve në fytyrë janë krejt të ndryshme. Pra, operacione nuk ka vetëm për gra dhe  të rinj që nuk ndihen rehat me pamjen e tyre. Ndërhyrjet plastike po praktikohen së shumti te njerëz publikë, artistë dhe figura të ekranit. Ndoshta, jo rastësisht, mjekja e parë që i ka kryer këto operacione në Shqipëri ka qenë një femër, e cila, rreth vitit 1984 mundohej t’ua mbushte mendjen shqiptarëve se hunda apo veshët e tyre mund të kishin një rol vendimtar në paraqitjen e tyre. Megjithatë, në ato vite ishin të pakta ndërhyrjet kirurgjikale që bëheshin për shkak të pakënaqësive estetike. Doktor Hekuran Braho shpjegon se “më parë ka qenë shumë e vështirë që të thyhej tabuja e prekjes së organeve të dhuruara nga natyra dhe ishte detyra jonë, si mjekë, kur shikonim raste vërtet shqetësuese, që t’ua mbushnim mendjen se duhej ndërhyrë në hundën apo veshët e personit, ndërsa sot jo vetëm që kjo tabu është thyer, por ka raste kur ne nuk i kryejmë operacione të caktuara, pasi ndërhyrja është aq e vogël, sa do të ishte më mirë të mos kryhej”. Rinoplastika, rimodelimi i hundës, bëhet me anë të mjeteve të përdorura në brendësi të hundës, të cilat ndërhyjnë në pjesën e sipërme të saj, në majën e saj dhe, ndonjëherë edhe në bazën e saj.

Nga Liri Mëhalla

Lajme tjera:


Tags:

2 Responses to " Operacionet plastike, trendi i ri shqiptar "

  1. besa thotë:

    mbaji ato qe ti ka fal allahu pse nuk i pranon ato qe ti ka fal po mundohesh me u ba ma i mencur se ai aa

  2. adi thotë:

    Pershendetje kam si gjithe rinia shqiptare edhe dua te bej nje nderhyrje ne hunde por kam frike. Cfare mendimi me jepni se nga informacionet qe me kane dhe me kane the qe ka shume rrezikshmeri te larte.
    Nese keni mundesi te me kthe nje pergjigje ne e-maillin tim.

    Faleminderit

Leave a comment

web analytics