Mesfushori nga Mali ndjehet mirë tek Juventus dhe beson se me këtë skuadër do të shkojnë lart.
Momo Sisoko, në më pak se një vit ka fituar një vend si titullar te Juventusi, është kthyer në një protagonist në kampionat e në Champions, vendimtar për lojën e Ranierit në kampionat. Mesfushori erdhi këtë sezon tek Juventusi nga anglezët e Liverpulit, ndërsa më parë ka luajtur në Spanjë me Valencian. Sisokon e kujtojnë me nostalgji në Spanjë tek Valencia, ndërsa në Angli tek Liverpuli, jo. Benitez ka thënë se kemi lojtarë më të mirë se ai, ndërsa vetë mesfushori shprehet “- Ndoshta kanë gabuar në Liverpul, isha i ri dhe, kur je 20 vjeç, ke dëshirë për të luajtur. Largimi nga Liverpuli ishte i domosdoshëm dhe tani ndjehem mirë. Me drejtuesit e Juves jemi kuptuar menjëherë, shpresoj ta shpërblej besimin e tyre për një kohë të gjatë.” Lojtar i fortë, luftarak në fushën e lojës, mesfushori nga Mali në pak muaj ka fituar ndaj konkurrencës së fortë tek bardhezinjtë dhe ka bërë të heshtin ata që kishin nostalgji për Patrik Vieiranë “- Jam si një kameleon. Kur jam në fushë transformohem, por nuk e ekzagjeroj me ndërhyrjet e mia. Futbolli është sport burrash, kush e tërheq i pari këmbën në mesfushë, humbet,” – thotë Sisoko. Shpesh, arbitrat nuk ndajnë të njëjtin mendim, por pak rëndësi ka, objektivi justifikon mjetin”. Këtë e di mirë Ranieri, që nuk mund të bëjë pa Sisokon në mesfushën bardhezi. Numrat flasin vetë. Njëzet prezenca në katër muajt e fundit, ndërsa është mesfushori juventin me numrin më të madh të paraqitjeve në këtë sezon, 15. Me gjithë aktivizimin e madh në këtë sezon, Sisoko nuk ka mundur dot të shënojë as edhe një gol “- Këtë sezon më mungon akoma goli, i kam shkuar afër, por nuk është kjo detyra ime.” Pikërisht, ai është nga ata që bëjnë punën e vështirë, që përveshin mëngët dhe vrapojnë për fenomenët. “Lojtarë si unë dhe Gatuzo i japin ekuilibër dhe e bëjnë më kompakt një skuadër. Ka lojtarë që dhurojnë spektakël dhe të tjerë që vrapojnë për 90 minuta.” Dymbëdhjetë kilometra është mesatarja e distancës që përshkon Sisoko në ndeshje, një jetë si mesfushor, në ndjekje të lojtarëve kundërshtarë. Kjo sepse futbolli i sotëm ka ndryshuar shumë në krahasim me të shkuarën. Tani vrapohet dyfishi dhe këmbët janë me më pak kontakt me topin. Mushkëritë nuk mjaftojnë, duhet edhe zemra. “ -Dëshira për të arritur deri në fund, nuk duhet të mungojë asnjëherë, ashtu siç nuk duhet braktisur e shkuara, nga ke ardhur, kush ishe para se të luaje në Liga ose në Premier, apo në Itali”- thotë mesfushori nga Mali. Momo Sisoko origjinën e tij nuk e ka harruar. Ai ëndërron kualifikimin me Malin në Botërorin e Afrikës së Jugut më 2010-n dhe nuk ia ka zili Interit talentet që ka në skuadër. “ Ëndërroj që një herë të vetme të arrijmë të luajmë në kampionatin botëror. Do të ishte mrekulli që vendi im të përfaqësohej në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit. Mali ka lojtarë të mirë dhe një ditë ndoshta ëndrra ime mund të realizohet, shpresoj të ndodhë këtë herë që botërori zhvillohet në Afrikë” – shprehet ai ndërsa më pas flet shton – “ Ne kemi Aleksin, kam pasur në skuadër lojtarë si Xherard dhe Aimar, por Del Piero është i jashtëzakonshëm, si futbollist dhe si njeri. Interi? Gjashtë pikë diferencë janë pak, vetëm dy ndeshje. Në Champions, Reali i Madridit na ka karikuar në Evropë, fitorja me Milanin do të na shërbejë në kampionat, por duhet të jemi gjithmonë të vëmendshëm. Kemi rrugë të gjatë për të bërë dhe për këtë duhet dhënë maksimumi në çdo ndeshje”. Sisoko flet dhe për shortin në ligën e Kampioneve “- E dija që do të kishim përballë një skuadër të fortë dhe na ra pikërisht Çelsi që vjet shkoi deri në finale. Do të jetë një ndeshje force pasi jemi dy skuadra që mbështetemi tek loja fizike. Është një përballje e madhe. Në përballjet me Çelsin kam eksperiencë kur luaja në Angli me Liverpulin dhe mezi pres të luaj sërish me blutë. Besoj tek kjo skuadër dhe do të shkojmë shumë lart në Champions”- ka deklaruar mesfushori i bardhezinjve, Momo Sisoko.
Home » Sport » Sisoko: Me Çelsin në Champions do të jetë një ndeshje force






